Nxënësit e tri klasave të para në Shkollën e Mesme të Ulët “Dëshmorët e 5 Prillit”, në Smirë, e shënuan me gëzim përfundimin e librit të tyre të parë-Abetares. Mësuesit Xhavit Fazliu, Shpresa Zuka dhe Tahire Bajrami, kishin organizuar me nxënësit e tyre një festë të vërtetë. Ata prezantuan para prindërve dhe mësimdhënësve e nxënsve një program artistik, me recitime, këngë e valle. Një pjesë të madhe të programit, ia kushtuan pikërisht Abetares-librit që iu dha alfabetin.
Shkolla ishte mbushur plot gëzim e hare. Të gjithë ishin të kënaqur që nxënësit kanë arritur ta përvetësojnë suksesshëm alfabetin dhe tash e tutje të jenë të gatshëm t`i shtojnë njohuritë. U tha se ky është kurorëzim i punës dhe angazhimit të mësuesve, vet nxënësve dhe prindërve. Nxënësit u përgëzuan për suksesin e arritur dhe për programin që shfaqën. Të gjithë u kënaqën në atmosferë të këndshme.
Drejtori i shkollës Xhavit Sahiti duke përshëndetur këtë manifestim, iu uroi nxënësve Festën e Abetares, shumë suksese e shëndet të mirë.
Me këtë rast prindërit organizuan koktej rasti për të gjithë të pranishmit. Udhëheqja e shkollës iu uron nxënësve Festën e Abetares, si dhe i falenderon mësimdhënësit dhe prindërit për një organizim kaq të mirë.
“Festa e Abetares”, është bërë manifestim tradicional në shkollat e Kosovës, nga viti 2009, sipas një vendimi të ministrit të atëhershëm të Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Enver Hoxhaj.