Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, vizitoi të enjten Komunën e Vitisë, ku u takua me kryetarin e Komunës së Vitisë, Sokol Haliti dhe me Qeverinë komunale. Mustafa, që shoqërohej në këtë vizitë nga ministrat Hykmete Bajrami, Lutfi Zharku, Imet Rrahmani dhe zëvendësministri Bajram Gecaj, së bashku me kryetarin e Vitisë përuruan edhe Emergjencën e re në këtë Komunë si dhe vizituan Fabrikën VINEX.

Pas takimit me kryetarin e Komunës dhe Qeverinë komunale të Vitisë, në një konferencë për gazetarë kryeministri Isa Mustafa shprehu kënaqësinë e tij për këtë vizitë në Viti, një komunë e cila, siç u shpreh kryeministri, i ka të qarta objektivat dhe i ka të qarta kërkesat të cilat synon t’i realizoj në periudhën e ardhshme kohore.

“Unë jam i vetëdijshëm se nevojat në një Komune siç është Vitia janë shumë të mëdha, që shtrihen nga problemet e punësimit, çështjet sociale, problemet e infrastrukturës rrugore, infrastrukturës shkollore, kulturore, çështjet e vërshimeve të cilat po përsëriten vit pas viti në këtë komunë dhe në komunat përreth të cilat kërkojnë një zgjidhje afatgjatë, në mënyrë që më mos të ndodhin dhe natyrisht përkrahja në ngritjen e standardit të përgjithshëm ekonomik përmes tërheqjes së investimeve të huaja dhe krijimit të hapësirës për këto investime”, tha kryeministri.

Mustafa po ashtu theksoi se është arritur në një situatë ku duhet të fuqizohet roli i komunave në zgjidhjen e këtyre problemeve dhe se ky fuqizim nuk mund të bëhet vetëm përmes deklaratave, por se duhet të bëhen ndryshime sistemore të cilat qeverisjen lokale do ta bëjnë më të fuqishme në disa fusha veçmas në fushën e zhvillimit ekonomik, njofton kumtesa nga Kryeministria.

Ai premtoi se “do të punojmë më Ministrinë e Bujqësisë në mënyrë që të përkrahim projektet bujqësore. Jemi koshient se të mbjellat pranverore janë të rrezikuara për shkak të vërshimeve të mëdha, por do të shohim se si do t’i ndihmojmë bujqit që ata të realizojnë sezonin e tyre, të kenë subvencione dhe të kenë grante për arsye se është fjala për një ambient me një klimë dhe tokë të pëlleshme e cila kërkon dhe meriton investime më të mëdha. Ndërkaq, shkolla në Pozharan është objektiv i cili gjithsesi duhet të realizohet sepse s’mund t’i lëmë 1000 nxënës të mësojnë dhe të punojnë në kushte të pavolitshme, premtoi kryeministri.

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, falënderoi kryeministrin Mustafa dhe anëtarët e kabinetit qeveritar për nderin që i kanë bërë Vitisë me vizitën e tyre.

Ndërkaq, gjatë përurimit të Emergjencës së re në Viti, kryeministri Isa Mustafa, uroi të pranishmit e shumtë në këtë ceremoni, për këtë objekt tepër të rëndësishëm. /koha.net/

Leave A Reply