Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa priti sot në takim Kryetarin e Komunës së Vitisë, Sokol Haliti. Me këtë rast ata bashkëbiseduan lidhur me bashkëpunimin në mes të institucioneve lokale dhe atyre qendrore. Në veçanti kryetari Haliti e njoftoi kryeministrin Mustafa me sfidat me të cilat po përballet kjo komunë, e ndër to veçoi gjendjen e rrugëve magjistrale, shkollën fillore në Pozheran, e cila është në gjendje jo të mirë si dhe shtratin e lumit “Morava e Binçës” ku si pasojë e mbylljes dhe shkatërrimit të shtratit shkaktohen shpesh përmbytje të tokave bujqësore. Sipas kryetarit Haliti gjatë këtij takimi kryeministri Mustafa u zotua se do të përkrahë fuqishëm Komunën e Vitisë në projektet e saj. Mustafa përndryshe nënvizoi se e gëzon fakti që kjo komunë është vlerësuar lartë nga raportet e ndryshme të institucioneve e organizatave të besueshme vendore dhe ndërkombëtare për qeverisjen e saj të mirë në vitin 2014. /vitialive.com/