Në përkujdesjen e kryetarit të komunës, Sokol Haliti, Vitia ka shënuar sot 7-vjetorin e pavarësisë së vendit. Për nder të këtij përvjetori Kuvendi Komunal i Vitisë ka mbajtur seancë solemne, ndërkaq më pas janë bërë homazhe në varrezat e dëshmorëve në Viti. Në manifestimin qendror në Shtëpinë e Kulturës “Gursel dhe Bajram Sylejmani “ në Viti para të pranishmeve është shfaqur një program kulturo dhe artistik është folur edhe për rrugëtimin e Kosovës deri tek pavarësia e saj.
Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti tha se pavarësia e këtij vendi u arrit pas shumë kërkesave dhe sakrificave të këtij populli. “Kjo u arrit pas kërkesave sublime të këtij populli të shumë vuajtur dhe pas luftërave të pareshtura të brezave për liri dhe mëvetësi shtetërore të vendit tonë. Në këtë përvjetor i përkujtojmë të gjithë ata që sakrifikuan jetën duke rënë në alltarinë e lirisë dhe që u shkrinë duke punuar për të mirën e popullit dhe të atdheut”, u shpreh Kryetari Haliti.
Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Kaltirina Sylejmani, tha se për shtetin u dhanë shumë jetë dhe u dha shumë kontribut ndër vite, u dha shumë gjak, por u fitua ëndrra e popullit- u fitua liria e shtrenjtë, u fitua një lufte dhe fitoi emblema kuq e zi, emblema e jetës. Në emër të organizatave të dalura nga lufta të UÇK-së ka folur Abdyl Bajrami i cili ndër tjerash e quajti ditën e sotme ditë të bekuar sepse sipas tij për këtë ditë u dha shumë mund, djersë dhe gjak.
Në organizimin e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport u mbajtën gara sportive në shenjtari dhe pingpong, u promovua libri “ Stublla me shkollën e parë shqipe 1854-1905” të autorit Sarë Gjergji, u hap ekspozita e artit pamor si dhe u mbajt turne revyal në futboll të vogël. Në mbrëmje u shfaqur një koncert dhe programi festiv u përmbyll me fishekzjarrë.