Kryeminsitri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa ka njoftuar se Aleksandar Jabllanoviq, nuk është më pjesë e kabinetit qeveritar. Lajmi u publikua në një takim me gazetarët që zoti Mustafa mbajti në Prishtinë. Vendimi për largimin e jabllanoviqit nga Qeveria e Kosovës pason protestat e organizuara nga partitë politike në opozitë, për shkak se ai, më 6 janar, i kishte cilësuar si “egërsira” protestuesit në Gjakovë, të cilët po përpiqeshin të pengonin disa pelegrinë serbë që të vizitonin Gjakovën me rastin e Krishtlindjeve Ortodokse. Por, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, Aleksandar Jabllanoviq ka thënë se vendimi i kryeministrit, për Listën Serbe, “është thellësisht dëshpërues”. “Vendimi i kryeministrit është diçka të cilën ai vetë e ka vendos dhe për ne është i papranueshëm. Për hapat e mëtejmë të Listës Serbe do të vendosim në ditët në vazhdim, pas konsultimeve brenda Listës”, ka thënë Jabllanoviq.