Policia e Kosovës nëpërmes një komunikate ka bërë me dije se në protestën e sotme në Prishtinë, janë lënduar 72 pjesëtarë të policosë, 12 prej tyre me lëndime serioze, ndërsa dy zyrtarë policorë janë dërguar në QKUK për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor. Policia e Kosovës deri në përfundim të protestës ka shoqëruar në stacione policore 160 protestues, për intervistim dhe procedura të mëtutjeshme ligjore. Po ashtu në bazë të informacioneve të pranuara nga Qendra Emergjente në Prishtinë, deri në këto momente 26 qytetarë kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Gjatë kësaj proteste janë shkaktuar edhe dëme të konsiderueshme materiale në automjetet dhe pajisjet përcjellëse policore, duke përfshirë edhe dëmtime të hapësirës dhe pronës publike.