Është përuruar sot projekti i Parkut të qytetit të Vitisë, projekt i financuar nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe implementuar nga Organizata ndërkombëtare për migrim në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, në kuadër të programit “Kosova e bukur” faza e dytë. Përfaqësuesi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Kristof Stock, u shpreh se realizimi i këtij projekti po tregon se Bashkësia Evropiane është e gatshme dhe e interesuar që të investoj në komunën e Vitisë.

“Shpresoj se kontributi dhe financimet e BE-së do të mundësojnë që jeta në përgjithësi të bëhet më e mirë këtu në Viti, e njëkohësisht të përmirësohet edhe natyra si dhe krejt Kosova ashtu siç është edhe moto e projektit “Kosova e bukur II”. Por ajo që vlen të përmendet, se më këtë punë që është kryer, janë krijuar mbi 50 vende pune që ka mundësuar edhe shanset për disa punëtorë për punën të mëtejme”, ka thënë Stock. Stock ka falënderuar për bashkëpunim tejet të mirë kryetarin e komunës së Vitisë dhe për idenë e rregullimit të parkut të qytetit, ndërkohë ka potencuar se së shpejti do të filloj së realizuari edhe projekti i meremetimit të Shtëpisë së Kulturës në Viti. Ndërsa shefi i organizatës ndërkombëtare për migrim IOM Horhe Baka, ka njoftuar se kosto e këtij projekti ka qenë 79 mijë euro. Kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti, ka theksuar se kjo iniciativë e realizimit të këtij projekti, ka qenë ide ekipore dhe e përbashkët pasi që ka qenë nevojë e kohës që të ketë Vitia një park të mrekullueshëm. “Ky park do të jetë i shfrytëzueshëm për të gjitha kategoritë, pasi posedon këndin e pensionistëve, këndin e rinisë dhe këndin e fëmijëve. Edhe ky projekt vjen si rezultat i projekteve të tjera që janë realizuar dhe pritet të realizohen në të ardhmen në komunën e Vitisë e që kanë për qëllim mirëqenien e të gjithë qytetarëve të kësaj komune. E meritojnë një falënderim të veçantë përfaqësuesit e BE-së pasi që dihet se Vitia është njëra ndër përfitueset kryesore të fondeve të Bashkimit Evropian, që pos këtij projekti të parkut që po e përurojmë sot, kemi edhe projektin e Shtëpisë së Kulturës, projektin e bashkëpunimit ndërkufitar, projektin e realizuar në shkollën e Vërbanit dhe projektin e ndërtimit të administratës komunale”, ka thënë kryetari Haliti.

1 Koment

Leave A Reply