Dr. Venera Bekteshi, e bija e Bektesh Bekteshit dhe mbesa e Abdullah Bekteshit, nga Smira, po lë gjurmë si profesoreshë në njërin nga universitetet më të njohura në SHBA-University of Illinois at Urbana-Champaign. Ky universitet, ofron studime në fushat e psikologjisë, shkenca sociale, planifikim urban, inxhiniering etj. Dr. Venera, ka lindur në Mitrovicë. Ajo, në moshën 16 vjecare, ka imigruar në Oklahoma të Shteteve të Bashkuara te Amerikes. Por, asaj nuk i është dashur shumë kohë, për t`u integruar dhe për t`u shquar në shoqërinë amerikane, edhe pse suksesin në Amerikë ia përkushton vlerave shqiptare, të cilat ajo vazhdon t`i mbajë në zemër. Dr. Venera, vazhdoi shkollimin dhe me sukses përfundoi studimet në gazetari dhe shkenca politike. Pastaj mbaroi tri magjistratura, ne shkenca politike, administrim publik, si dhe cështje sociale, në Columbia University si dhe Boston College.
Dr. Venera, përfundoi shkollimin e saj edhe në nivel të doktoraturës, duke doktoruar në drejtimin e Çështjeve Sociale, ne Boston College. Tema e disertacionit për doktoraturë ishte ndikimi i stresist të integrimit në gjendjen psikologjike, të grave imigrante në SHBA. Studimet e postdoktoraturës i vazhdoi në fushën e Mjekësisë, në Washington University in St. Louis, ku specializoi në temën e kancerit të gjirit të grave imigrante.
Si Profesoreshë-Asistant në Universitetin e Illinois të Urbana Champaign, ajo studion pengesat për shfaqjen e kancerit në mesin e imigrantëve dhe minoriteteve si dhe rolin e integrimin në jetën e imigrantëve. Qëllimi kryesor i studimeve të saja, është që të ndihmojë përpjekjet globale, për të reduktuar barrën joproporcionale të vdekshmërisë nga kanceri, të lidhura me këtë komunitet. Në të ardhmen, Dr. Venera planifikon të studiojë temat ne lidhje me gratë në Kosovë, si p.sh. nevojat e grave që ishin viktima të dhunës, gjatë lufës në Kosovë.
Pyetjes se cka konsideron ajo sukses-pyetje kjo e parashtruar nga ekipi i Shqiptaro-Amerikanëve të suksesshem, ku ajo u zgjodh së bashku me Shqiptaro-Amerikanët e tjerë të suksesshëm në SHBA, Dr. Venera iu përgjjigj:
‘Një koncept shumë-dimensional, suksesi për mua tregon një aftësi për të mbajtur aspekte të kulturës shqiptare, duke i përfshirë ruajtjen e lidhjeve të forta familjare këtu dhe jashtë vendit, mbrojten e nderit si dhe përmbushjen e premtimeve, mikpritjen dhe vullnetin e fortë të punës’, tha Dr.Venera.
Dr. Venera thotë se ishte gjyshja e saj-nëna e nënës, e cila nderroi jetë para pak kohësh, zonja Miradije Haxhikadriu nga Mitrovica, që ia ushqeu idealet e forta. ‘Gjyshja ime ishte një grua e besimit të jashtëzakonshëm. Ajo kishte forcën emocionale, bujarinë, inteligjencën, dhembshurinë dhe më mësoi për të mbajtur besimin në veten time dhe në Perëndinë, pavarësisht nga pengesat me të cilat jam përballur’, tha ajo.
Ajo vlerëson edhe prindërit e saj, Bektesh Bekteshin nga Smira dhe Flurije Bekteshin nga Mitrovica, për aftësistë e tyre, për të siguruar për familje në aspektet emocionale dhe financiare, megjithë vështirësite e tyre.
“Prindërit e mi kanë qenë një burim i madh frymëzimi në jetën dhe karrierën time. Ata kishin humbur të gjitha gjerat e tyre materiale, për shkak të luftës në Kosovë, por ata ishin në gjendje për të ndërtuar një shtëpi të re në Kosovë dhe për të ndihmuar vëllezërit e motrat e mia si dhe mua, për të fituar një arsim me cilësi të lartë”, është shprehur Dr. Venera.
Dr. Venera eshte aktive në komunitet dhe madje këshillon imigrantët shqiptarë dhe të tjerë në SHBA. Më parë, ajo ka shërbyer si Zëvendës Drejtoreshë në Organizatën Shqiptare-Amerikane te Grave në Nju Jork, duke ofruar shërbime thelbësore ndaj komunitetit shqiptar në SHBA. Gjithashtu, ajo ka qenë Zëvendës Drejtoreshë në Departamentin e Rinisë në New York City, Menaxhere e Programit në Departamentin e Programit të Shërbimeve për të pastrehët, Koordinatore Administrate në Aon Re Inc. – kompani e sigurimit, si dhe bashkëpunëtore në Programin për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara.
Dr. Venera Bekteshi, në fund të dhjetorit 2014, u përzgjodh nga komuniteti shqiptaro-amerikan si personalitet i sukseshëm me origjinë shqiptare. Ajo, iu bashkua një grupi të organizuar nga ky komunitet për vizitë disa-ditore në Kosovë. Gjatë vazhdës së aktiviteteve të tyre, në takime me institucione të ndryshme në Republikën e Kosovës, Dr. Venera përzgjodhi Universitetin ‘Dardania’ për një ligjëratë para studentëve të këtij institucioni me temën: “Roli i stresit të integrimit në gjendjen psikologjike të grave imigrante latine”.
Prezantimi u ndjek me entuziazëm dhe interesim të madh nga studentët si dhe stafi akademik i ‘Dardanisë’. Nuk munguan as pyetjet e ndryshme nga ana e tyre, jo vetëm rreth temës së prezantuar por edhe rreth eksperiencave dhe sfidave të një vajze me origjinë shqiptare, drejt rrugës së suksesit dhe ngritjes profesionale në aspekt akademik, që na bënë të ndihemi krenar me arritjet e saj.
Dr. Bekteshi, ka marrë pjesë dhe ka prezantuar hulumtimet e saj edhe në shumë konferenca kombëtare e ndërkombëtare, akademike dhe joakademike si dhe ka publikuar punime në shumë revista shkencore.
Kur, nuk hulumton pabarazinë shëndetësore në mesin e komuniteteve të imigrantëve, ajo i kushton kohën e saj për të luajtur në piano dhe për të mësuar gjuhë të reja. Flet rrjedhshëm shqipen dhe anglishten, por e zotëron edhe spanjishten dhe serbishten.
Dr. Venera edhe pse vendlindje e ka Mitrovicën, thotë se Smirën nuk e harron kurrë, si vend ku lindi prindi i saj Bekteshi. Ajo thotë se sa herë që vie në Kosovë, me dëshirë vjen edhe në Smirë. Madje i ati i saj ka vendosur të ndërtojë edhe shtëpi të re këtu, në mënyrë që lidhja me vendlindjen të jetë edhe më e fortë.
P.S. Informatat për këtë shkrim janë huazuar nga ekipi ”tregimet e suksesshme të shqiptaro-amerikanëve me seli në Nju Jork, si dhe nga faqet e internetit të Universitetit ‘Dardania’.
4 Komente
Urime dhe suksese Venera.Rezultatet dhe sukseset tuaja gezojne jo vetem prinderit Tuaj por te gjithe smirasit dhe ne pergjithesi shqiptaret kudo qe jane. Te lumte ne qe Ju kemi. Ju pershendes dhe ju uroj shendet dhe suksese te reja.
Urime dhe suksese të mëtejshme, Venera. Ti je një shembull i përkryer i vajzës shqiptarë në mërgim! Ke një pasion të jashtëzakonshëm për jetën, diturinë dhe shoqërinë!
Venera Ju uroj per sukseset e korrura ne lemin Tuaj.Pra me punen kemngulese ne fushen e psikologjise Ju jo vetem qe paraqiteni e zonja profesionalisht por njeherish e nderon se pari personalitetin prej nje femreje shqiptare me permasa nderkombtare ne te njejten koh I nderon prinderit Tuaj qe aq shum u sakrifikuan per me arrijtur kete nivel qe e ke,por e nderon edhe Mitrovicen,vendelindjen tende,fshatin e lindjes te Bekteshit,shokut tim te respektuar,e nderon Kosoven tende te dashur si dhe mbare kombin shqiptar.
Pra urime e sukses dhe fat e shendet te deshiron Behxhet Muharremi,
Venera aspak nuk kam dyshuar ne suksesin e meritat e tua,sepse edhe si femije ke qene ambicioze ne mesime dhe e dashur per te gjithe ashtu siq je tani,Te perqafoj me dashuri e te uroj suksese edhe me te larta.