Institucionet dhe qytetarët e Komunës së Vitisë, në shenjë nderimi për kontributin e dhënë  në proceset për  lirinë dhe shtet ndërtimin e Kosovës, të ish-diplomatit amerikan Richard Holbrooke, në qendër të Vitisë, i kanë ngritur një bust, i cili u zbulua ne Ditën e Falënderimeve të SHBA-ve.

“Institucionet Komunale të Vitisë, në mbështetje të qytetarëve të saj , vlerësuan se duke bërë diçka konkrete për diplomatin më të efektshëm të kohës tonë, forcën e së mirës siç e kujtojmë ne, ta nderojnë me një vepër e cila në krahasim me kontributin e tij, le të konsiderohet një vepër modeste, por me një mesazh  të madh”, ka thënë kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ne seancën solemne të Kuvendit Komunal, e cila u mbajt për nder të shpalosjes së bustit të ambasadorit Holbrooke.

Për figurën e ambasadorit Holbrook, kanë folur edhe Don Lush Gjergjji, Shefki Hysa në emër të akademisë së misionit për paqe “Richard Holbrook”, ish-ambasadori i Kosovës në Shqipëri  Gazmend Pula si dhe me një letër përshëndetëse edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha.

Busti i ambasadorit Holbrooke, është ngritur në lokacionin i cili është ndarë me vendim të Kuvendit Komunal, kurse mjetet për ngritjen e këtij busti janë siguruar nga qytetarët dhe kompanitë e Vitisë , sidomos nga fshati Stubëll. / KOHA.net/

Leave A Reply