Këshilltarët e KK të Vitisë nga radhët e opozitës janë shprehur të pakënaqur me shkallën e shpenzimeve të buxhetit komunal për investime kapitale gjatë periudhës janar – shtator.
Sipas tyre, shkalla prej vetëm 33.3 për qind e realizimit të buxhetit për investime kapitale gjatë këtyre nëntë muajve rrezikon mosrealizimin e projekteve të planifikuara apo realizimin e këtyre projekteve me cilësi të dobët, shkaku i dinamikës së përmbushjes së planit për 3 muajt e mbetur të vitit.
Bekim Azizi, këshilltar (PDK), ka thënë se në raportin e pasqyrave financiare më brengosëse është shkalla e ulët e realizimit të buxhetit komunal në investime kapitale, pasi ajo për 9 muaj është realizuar vetëm 33 për qind, dhe nëse vazhdohet me këtë trend të shpenzimeve, atëherë në fund të vitit nuk mund të realizohen projektet e planifikuara, apo nëse realizohen ato mund të rrezikojnë të jenë në cilësi të dobët , pasi Komuna duhet të ngutet që punët e planifikuara për një vit t’i kryente për 3 muaj.
Edhe Daut Xhemajli, nga Nisma, ka shprehur shqetësimin se vonesat në shpenzimin e buxhetit të planifikuar për investime kapitale mund të rrezikojnë cilësinë. “Komuna duhet të shtojë kontrollin te punëkryerësit, në mënyrë që projektet që realizohen të jenë në cilësi të duhur”, ka thënë Xhemajli.
Majlinda Ostërgllava, nga LVV-ja, ka theksuar se institucionet komunale kanë vonesa të dukshme në realizimin e projekteve dhe projektet që po realizohen nuk janë në cilësi të duhur, pasi po ndërtohen kanalizime me gropa septike, apo asfaltime të rrugëve me cilësi të dobët. Por sipas Ibrahim Ramajt, drejtor i Ekonomisë, vonesa në realizimin e projekteve kapitale nuk është me faj të komunës, por ajo është si shkak i vonesës së vendimit të Qeverisë së Kosovës, për rishikimin e buxhetit komunal, si edhe për shkak të ankesave të operatorëve në Organin e Prokurimit Publik dhe Komuna është dashur të priste përgjigjeje derisa ky organ ka shqyrtuar këto ankesa edhe pse në asnjë rast OSHP-ja nuk e ka kontestuar vendimin e Komunës.
“Me të marrë vendimin nga Qeveria e Kosovës për rishikimin e buxhetit komunal, ka nisur me intensitet të shtuar realizimi i projekteve kapitale dhe brenda 20 ditëve të para përqindja e shpenzimeve të investimeve kapitale ka arritur në 50 për qind”, ka thënë Ramaj.
Ai ka thënë se nga 2 milionë e 508 mijë euro të planifikuara për investime kapitale për këtë vit, deri në fund të muajit shtator janë shpenzuar 820 mijë euro apo 33.33 për qind.
Kreu i Vitisë, Sokol Haliti, ka thënë se me gjithë problemet që ka Komuna has në rishikimin e buxhetit, shkaku i vonesave nga niveli qendror.
“Falë motit të mirë dhe angazhimit të operatorëve,të gjitha projektet e planifikuara do të realizohen me kohë dhe në cilësi të duhur”, ka thënë Haliti. /koha.net/