Në shkollat e mesme dhe fillore në Kosovë sot është rikthyer gjallëria-nxënësit kanë nisur vitin e ri shkollor 2014/2015. Në Shkollën e Mesme të Ulët “Dëshmorët e 5 Prillit”, në Smirë, procesi mësimor nisi mbarë.
Drejtori Xhavit Sahiti tha se nga personeli dhe nxënësit pret angazhim dhe punë serioze, në mënyrë që të arrihen rezultate sa më të mira.
“Orari dhe kujdestaritë janë caktuar edhe tekstet shkollore kanë filluar t`iu jepen menjëherë nxënësve, kështu që nuk presim ndonjë ngecje. Në orën e parë të mësimit nëpër të gjitha klasët është lexuar një letër mirëseardhje për nxënësit të cilëve u janë përkujtuar të drejtat e tyre, por edhe obligimet që kanë. Pra, çdokush që e then rregulloren e shkollës, do të përgjigjet. Presim që nxënësit dhe mësimdhënësit ta respektojnë orarin, ta ruajnë inventarin dhe të kujdesen për mbarëvajtjen e procesit mësimor”, ka thënë ai.
Drejtori Xhavit Sahiti tha se përgatitjet për fillimin e mësimit janë bërë me kohë dhe nuk ka pasur probleme
“Shkolla është e përgatitur në aspektin teknik dhe higjienik t`i pranojë nxënësit për mësim. Gjatë pushimit veror kemi bërë disa investime në infrastrutkurë dhe punë vullnetare sa i përket përmirësimit të kushteve të punës. Me mjetet që janë dhuruar nga vullnetmirë, bashkëvendës, biznese dhe bashkatdhetarë që jetojnë në mërgim, kemi zhvendosur kalldajën e ngrohjes qëndrore, sepse aty ku ka qenë ka shkaktuar probleme dhe pengesa. Poashtu kemi zhvendosur edhe depon apo garazhin e lëndëve djegëse dhe tani ajo korrespondon me kalldajën e nxemjes qendrore sepse më parë drutë është dashur të barten nëpër korridor. Edhe çështja e kanalizimit të shkollës është rregulluar dhe tani objekti është lidhur me rrjetin e fshatit”, ka thënë drejtori Sahiti.
Ai tha se falë punës vullnetare të tij, të sekretarit Astrit Shabiu dhe të punëtorëve teknik si dhe të disa mësimdhënësve, janë ngjyrosur 5 klasë dhe muret komplet të korridoreve në të dy katet e shkollës, kurse ngjyrën e ka siguruar komuna.