habibeSot shkoi në pension. Por, zellin e kishte akoma në nivel. Ajo duke u përshëndetur i porosi nxënësit që të mësojnë shumë. Kjo është e vyeshmja, veteranja e arsimit, mësuesja jonë-Habibe Ibishi. Pas 44 vitesh pune të palodhshme e sistematike me gjenerata e gjenerata, ajo la ditarin dhe përfundoi karrierën e saj të bujshme. Në një koktej rasti, të organizuar për nder të saj nga kolektivi i shkollës “Dëshmorët e 5 Prillit”, në Smirë, u thurrën shumë fjalë miradie e lavdi për të.

 

Çkado që të themi për mësuesen Habibe është pak. Për katë vite sa punoj si drejtor në këtë shkollë, asnjëherë nuk ka ndodhë që mësuesja të vijë e papërgatitur në punë. Ajo ishte plot vullnet dhe energji. Atë e kam takuar duke punuar me nxënës të klasës së parë edhe në orën 17 të mbrëmjes. Pra ajo ka pasur një përkushtim të madh që të punojë edhe më tepër se që kërkohet, vetëm e vetëm që nxënësit të arrijnë më shumë njohuri”, ka thënë drejtori Naim Agushi.

Kolegët ishin të mërzitur, e disa edhe u përlotën, që mësuesja Habibe po i braktiste, por thanë se ishin të nderuar që kishin pasur fatin të punonin me të.

“Mësuese më të nderuar dhe më të këndshme ekemi. Ajo e reskektoi punën, na mësoi se çka është dija dhe na mbolli dëshirën për ta arritur atë. Sipas saj dija është një diamant në fund të oqeanit, të cilin duhet ta kërkojmë. Ndihemi mirë dhe krenar që patëm një kolege, edukatore siç është ajo. Mësuesja habibe na ngriti në piedestalin e kohës dhe për këtë meriton lëvdatë para tërë shoqërisë”, lexoi ndër të tjerash mësuesja Shejnaze Sadiku në esenë që e kishte shkruar mësuesja Selvije në emër të kolektivit.

Mësuesja Habibe tha se kishte emocione që po ndahej nga kolegët, e sidomos që po e linte gjeneratën e saj të fundit të nxënësve. Ajo e ka falënderuar stafin e shkollës dhe drejtorin për mirënjohjen që po ia bënin. “Çdo aktivitet që fillon e ka edhe fundin. Edhe unë që kam punuar 44 vite, 3 muaj e 15 ditë, po e përfundoj karrierën. Kam punuar me vullnet të madh dhe me dashuri në mënyrë që dijen t`ua ndajë fëmijëve. Prandaj punoni sa më shumë, mësoni dhe shtoni njohuritë sepse ju duhen për të ardhmen”, tha ajo.

Mësuese Habibe i thurrën ese dhe poezi edhe nxënësit e saj.

Tefik Salihu në emër të Këshillit të prindërve shprehu mirënjohjen më të thellë për kontributin që mësuesja Habibe ka dhënë për breza të tërë të Smirës. “Ata që më së shumti i kanë shijuar frytet e punës së saj janë nxënësit dhe prindërit e tyre. Fjalët dhe këshillat e saja të urta, sjelljet shembullore, serioziteti, përkushtimi i saj në punë dhe mbi të gjitha profesionalizmi, le t`ju shërbejnë edhe kolegëve por edhe nxënësve si udhërrëfyes në punë e jetë”, ka thënë Salihu.

Arben Ibishi në emër të familjes falënderoi të gjithë kolektivin e shkollës për respektin dhe mbështetjen që i kanë dhënë nënës së tij, mësueses Habibe. Edhe ai tha se ndihej krenar që ka një nën të tillë dhe që i ka edukuar e rritur në frymë të shëndoshë.

Në fund nuk munguan as mirënjohjet e dhuratat nga kolegët dhe nxënësit për mësuesen Habibe.

Mësuesja e palodhshme Habibe Ibishi, ka lindur në vitin 1948, në fshatin Mjak. Pas tri vitesh, familja i shpërngulet në Gërmovë, ku ajo i vijoi mësimet në gjuhën serbe deri në klasën e VI, pastaj ka vazhduar në Goshicë në gjuhën shqipe për të ndjekur për 5 vjet Shkollën Normale në Ferizaj. Punën e ka filluar në shtator të vitit 1969. Një vit e gjysmë ka punuar në fshatin Gërmovë. Pastaj prej vitit 1971, ka vazhduar në fshatin Smirë ku ka punuar deri më sot. Ishte ndër mësueset e para në fshat.

Në linkun poshtë, mund t`i shikoni disa fotografi të mësueses Habibe Ibishi gjatë karrierës së saj. http://www.youtube.com/watch?v=Y6ipFBL7YLs&feature=share&list=UU_fXtL8WWJ90KMcp5sBwQWg

Faleminderit mësuesja jonë Habibe!

Leave A Reply