shkolla dhjetor 2013Këshilli i Shkollës së Mesme të Ulët, “Dëshmorët e 5 Prillit”, në Smirë dhe drejtori Naim Agushi kanë kërkuar angazhim më të madh të personelit, në mënyrë që procesi mësimor të zhvillohet në mënyrë më kualitative. Drejtori Agushi, në mbledhjen e Këshillit të shkollës, ku u analiza puna katërvjeçare e tij dhe e këshillit, tha se gjatë kësaj kohe ka pasur lëvizje pozitive edhe në aspektin teknik edhe në aspektin e mësimit.

 

“Kemi pasur përmirësime të dukshme në shkollë si në rregullimin e infrastrukturës, pajisjen e shkollës me inventar, e mjete pune e konkretizimi por ka pasur edhe ngritje të cilësisë së mësimit dhe të disiplinës. Natyrisht nuk duhet të jemi të kënaqur asnjëherë, sepse ka pasur edhe vështirësi e pengesa të natyrave të ndryshme, të cilat duhet të tejkalohen dhe në të ardhmen të kemi gjendje edhe më të mirë në shkollë”, tha Agushi.

Ai poashtu paraqiti edhe raportet financiare gjatë periudhës katërvjeçare të drejtimit të shkollës.

Kemur Mustafa nga Këshilli i shkollës, si përfaqësues i prindërve, pati vërejtje në nivelin e higjienës në shkollë dhe në rendin në përgjithësi në ambientet shkollore. Ai kërkoi më shumë punë nga mësimdhënësit, në mënyrë që të vendoset një standard më i lart i funksionimit të shkollës në çdo aspekt.

Drejtori Agushi njoftoi se gjatë mandatit katërvjeçar, në shkollën e Smirës, OSBE ka financuar hapjen e kabinetit të Kimisë, Fizikës dhe Biologjisë, Banka Botërore atë të Informatikës, Caritasi i Luksmeburgut ka financuar një projekt për pasurimin e fondit librar në bibliotekën e shkollës, blerjen e disa instrumenteve muzikore dhe të mjeteve për art figurativ. Forumi për Iniciativa Qytetare-FIQ, ka realizuar projektin për rregullimin e shtegut në oborr dhe vendosjen e perdeve në klasat e pjesës së përparme të shkollës, mandej GLV ka realizuar projektin për asfaltimin e fushave sportive, të cilin e ka financuar Ministria e Bujqësisë dhe një pjesë Komuna e Vitisë.

Mirëpo, përveç këtyre spekteve, Agushi, tha se shkolla e Smirës ka pasur rezultate edhe në mësim. Në vitin 2013, në garat komunale të diturisë të organizuara nga Drejtoria e Arsimit, ka zënë vendin e parë, bashkë me shkollën “Bafti Haxhiu”, të Vitisë.

Në mbledhjen e Këshillit të Shkollës së Smirës, u shtrua nevoja e shtimit të punëtorëve teknik, pasi që u vlerësua se vetëm dy punëtorë të tillë nuk mund ta mirëmbajnë si duhet gjithë atë hapësirë të shkollës. Poashtu u kërkua që të repektohen rregullat e shkollës.

Leave A Reply