“Transparenca në gjykata ka një rëndësi të madhe për ngritjen e efikasitetit në punë të këtij institucioni, prandaj përmes këtyre aktiviteteve po synojmë që të rrisin transparencën dhe të njoftojmë sa më shumë qytetarët për punën që po bëjnë institucionet e drejtësisë në komunën e Vitisë”, ka thënë Sefedini. Ndërsa, gjykatësi Raif Fazliu, duke njoftuar nxënësit e funksionet e gjykatave dhe punën që kryhet në këto institucione të drejtësisë, ka thënë se është në interes të gjykatës që ajo të jetë sa më afër qytetarëve e në veçanti gjeneratave të reja, pasi ky bashkonim ndihmon në rritjen e besimit të qytetarëve tek institucionet e drejtësisë. Ai është shprehur i kënaqur me interesimin dhe dijen që kanë shfaqur nxënësit për gjykatën si institucion. Nxënësit gjatë vizitës që i kanë bërë degës së gjykatës themelore më Viti, janë interesuar për çështjet që lidhen me funksionin e këtij institucione në ndarje të drejtësisë , duke filluar nga roli i gjykatës e deri tek mënyrë e parandalimit të korrupsionit në gjykatë. Drejtori i shkollës fillore “Dëshmorët e 5 prillit”, Naim Agushi, ka thënë se shkolla ka përkrahur këtë aktivitet pasi kjo vizitë në gjykatë u mundëson nxënësve që ta njohin më mirë këtë institucion dhe të kenë më të qartë pjesën e mësimit që e kanë mësuar në lëndën e edukatës qytetare për gjykatat. Edhe Valbonë Halimi, drejtoreshë e shkollës “Halil Alidema” në Pozheran, ka theksuar se çdo aktivitet që ndihmon fëmijët të rrisin njohuritë e tyre në mësime është i mirëseardhur për ta, prandaj edhe nxënësit e shkollës së Pozheranit kanë marr pjesë në mënyrë aktive në aktivitetet që kanë të bëjnë me vizitën në gjykatë.