Me një manifestim rasti, në Smirë u shënua Dita e Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Dëshmorët e 5 Prillit”. Drejtori Naim Agushi duke ua uruar këtë ditë kolektivit dhe nxënësve, paraqiti para të pranishmëve një historik të shkurtër të shkollës. “Shkëndijat e para të arsimit në këtë fshat datojnë që nga viti 1945. Mësimet e para të të rinjëve ua ofroi hoxha i fshatit Nebi Zuka. Nxënësit e fshatit tonë pasi kryenin klasën e katërt, deri në vitin 1954, klasat e larta i kryenin në Kabash.
Nga ky vit e deri më 1971, klasat e larta transferohen në Goshicë. Pastaj klasat e pesta dhe të gjashta nxënësit e këtij fshati fillojnë t`i ndjekin në Smirë e më pas vazhdojnë edhe klasët e shtata dhe të teta. Në vitin 1973 u ndërtua lokali i ri shkollor. Në vitin 1982, me vendim të kuvendit të Komunës së Vitisë, shkolla jonë pavarësohet nga shkolla ‘’Zenel Hajdini” e Goshicës dhe emërtohet “Ganimete Tërbeshi’’. Në vitin 2003 pikërsiht në përvjetorin e 4-të të rënies së dëshmorëve, shkolla merr emrin ‘’Dëshmorët e 5 Prillit’’”, tha Agushi.
Ai pastaj numëroi edhe investimet që janë bërë në shkollë qoftë nga pushteti local, qoftë nga organizata të ndryshme, kurse përmendi edhe sukseset që nxënësit e shkollës i kanë arritur në garat e sivjetme komunale, duke zënë vendin e parë. Shkolla “Dëshmorët e 5 Prillit” aktualisht ka 38 puëtorë dhe 646 nxënës.
Pasiqë Dita e shkollës përkon edhe me përvjetorin e rënies së 4 dëshmorëve të Smirës, manifestimin e përshëndetën edhe nënkryetari i komunës së Vitisë, Avdyl Bajrami, kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Qemajl Rexhepi si dhe kryetari i Smirës, Bekim Azizi. Ata vlerësuan lart veprën dhe sakrificën e dëshmorëve të UÇK-së.
Për të pranishmit nxënësit shfaqën një program të pasur kulturo-artistik.