Shkolla e mesme e ulët “Dëshmorët e 5 Prillit” e Smirës, ka zënë vendin e parë bashkë me shkollën “Bafti Haxhiu”, të Vitisë, në garën komunale të diturisë. Këto dy shkolla kanë marrë pikë të barabarta nga 65 secila, në kuizin e dijes, të organizuar nga Drejtoria e Arsimit e Vitisë, për nder të 7 Marsit-Ditës së shkollës. Vendin e dytë e ka zënë shkolla e Ramjanit, kurse në vendin e tretë është plasuar shkolla e Pozheranit.

Drejtori komunal i Arsimit, Fehri Qerimi, ka thënë për portalin tonë se në këtë garë morën pjesë gjithsej 18 shkolla të mesme të ulëta të komunës së Vitisë.

“Me këtë kemi dashur të shënojmë në mënyrë simbolike Ditën e shkollës, pra 7 Marsin. Njëkohësisht kemi menduar të stimulojmë apo nxisim nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit që të punojnë akoma më shumë për rezultate edhe më të mira. Mirëpo, edhe ky sukses është inkurajues, sepse gati 60 % e shkollave kanë arritur mbi 50 % të pikëve nga 100 pyetjet maksimale sa kanë qenë”, ka thënë Qerimi.

Poaq i kënaqur është shprehur edhe drejtori i shkollës së Smirës, Naim Agushi, i cili përgëzoi nxënësit, arsimtarët dhe prindërit për këtë rezultat. “Kjo është pasqyrë e të gjithëve-edhe e nxënësve edhe e mësimdhënësve por edhe e prindërve. Kur punohet me përkushtim, suksesi nuk mungon. Jam i lumtur për këtë dhe shpresoj se rezultatet e mira nuk do të mungojnë as në të ardhmen”, ka thënë Agushi.

Garat janë mbajtur në shtatë lëndë: Gj. Shqipe, Matematikë, Histori, Gjeografi, Kimi, Biologji dhe Fizikë. Kurse në Art Figurativ shkollat kanë garuar me nga një nxënës: vendin e parë e ka zënë shkolla e Ramjanit, të dytin e Pozheranit dhe të tretin shkolla e Vërbanit.

Secila shkollë ka pasur nga tre nxënës që janë zgjedhur pas garave që janë mbajtur në të gjitha shkollat fillore. Ekipi nga Smira është përbërë nga Mimoza Sahiti, Blinera Sejfullahu dhe Mirlinda Hetemi.

Leave A Reply