Albina_AvdiuAlbina (Zekir) Avdiu, nxënëse e klasës së parë te mësuesja Adile Sahiti, në shkollën fillore “Dëshmorët e 5 Prillit”, në Smirë,  nuk do ta bajë më gajlen  se ku t`i vendosë xhaketën, shallin, kapelën e dorëzat e saj gjatë dimrit. Ajo dhe të gjithë shoqet dhe shokët e klasës së saj, këto rroba mund t`i varin në

 

varësen që ua dhuroi dhe rregulloi  Ibush Ramadani.

“Kur e dërgoja vajzën time Diellën, në shkollë shpesh shihja se rrobat që nxënësit i kishin vënë në mbështetëset e karrigeve iu binin në dysheme. Këto pamje m`u dukën jo të këndshme dhe u preka, thashë pse për pak punë dhe mjete financiare fëmijët të shkelin me këmbë rrobat e tyre. Dhe mendova t`ju rregulloj këtë varëse. E bleva panelin (dërrasën) dhe elementet e nevojshme. E rregullova dhe e  fiksova vet në klasë, natyrisht pas konsultimeve edhe me mësuesen dhe drejtorin e shkollës”, thotë Ibushi. Ai tregon për portalin tonë se kjo ka nxitur edhe prindër të tjerë që të rregullojnë varëse të tilla në klasë tjera.

Drejtori i shkollës Naim Agushi, e ka përshëndetur këtë iniciativë të njërit nga prindërit që kanë fëmijë në këtë shkollë, për të bërë ndryshime të nevojshme. “Ne e përkrahim çdo gatishmëri të gjithkujt që dëshiron të ndihmojë shkollën. Ndonëse këto janë obligime tona, por ju e dini se deri sivjet shkolla nuk ka pasur buxhet të vetin. Kurse prej këtij viti shkolla disponon me mjete të veta të ndara nga komuna, që mund të përdoren për ndonjë meremetim,  apo intervenim të vogël, mirëpo prapë nuk mjaftojnë. Sidoqoftë, gjesti i Ibushit ndoshta është modest, por është domethënës dhe i vlefshëm”, thotë drejtori Agushi.

Leave A Reply