parashkolloret_duke_luajtur_2_320x200-Disa parashkollore, të klasës së edukatores Fatime Xheladini, në shkollën “Dëshmorët e 5 Prillit”, në Smirë, po luanin të premten me lodra, të cilat ua ka dedikuar mërgimtari smiras, Ramadan Rrahmani, me qëndrim të përkohshëm në Gjenevë të Zvicrës. Për nevojat e klasës parashkollore, ku mësojnë dy paralele, Dani ka dhuruar mjete konkretizimi, dysheme (tepih) të dekoruar, lodra, pajisje dhe dollapë për këpucë.

 

Ai tha se i kishte ardhur mirë, kur vitin e kaluar, e kishte parë vajzën e tij në klasën parashkollore, duke luajtur me lodra e gjëra, të cilat i kishin siguruar prindërit e nxënësve të gjeneratës paraprake, prandaj kishte menduar që këtë t`ua kthejë të tjerëve. “Tashti vajza ime e ka kryer këtë cikël dhe është në klasën e parë. Por, thashë, sigurisht që edhe të tjerët do të ndihen mirë, kur të shohin fëmijët e tyre duke luajtur me këto lodra e mjete. Fundja të gjithë janë fëmijët tanë dhe kanë nevojë të kënaqen, të argëtohen dhe të mësojnë përmes lojës. Besoj se do t`ju hyjnë në punë dhe do të ngrisin motivin tek nxënësit, sepse shkolla nevojë të ndihmohet në çdo kohë”, thotë Ramadan Rrahmani.

Edukatorja Fatime shprehet falënderuese për këtë donacion dhe thotë se përmirësimi i kushteve të punës dhe mësimit në këtë klasë, sigurisht do të ndikojë edhe në ngritjen e aftësive psiko-motorike tek nxënësit. “Klasa ka qenë e pajisur me disa mjete konkretizimi, por janë vjetëruar dhe dëmtuar. Këto që i ka sjellë Dani e kanë freskuar dhe zbukuruar ambientin dhe besoj se do ta ngrisin interesimin dhe disponimin e nxënësve. Po ju pëlqejnë, sepse po e shoh se po kanë dëshirë t`i marrin dhe të luajnë me to. Edhe dollapët e këpucëve kanë qenë të nevojshëm, sepse të mëparshmit janë thyer nga nxënës të papërgjegjshëm të klasave të larta. Kurse një pjesë e dyshemes ka qenë e dëmtuar. Tashti e kemi vendosur këtë pjesën e re dhe është më pastër dhe më bukur”, thotë edukatorja Fatime.

Sipas drejtorit të shkollës, Naim Agushi, kjo nuk është ndihma e vetme që Ramadan Rrahmani ka dhënë sivjet për shkollën e Smirës. “Dani, në fillim të vitit të ri shkollor, na ka sjellë edhe mjete mësimore komplet, për nxënësit me gjendje më të rëndë ekonomike. Ai ka dhuruar çanta, fletore, blloka, lapsa, goma, numratore, ngjyra e mjete tjera mësimore për dhjetë nxënës nga klasa e parë deri në të pestën. Sigurisht se ky është gjest i mirë të cilin duhet përshëndetur dhe i jemi mirënjohës për këtë përkushtim të tij”, thotë drejtori Agushi.

Ai thotë se Ramadan Rrahmani vazhdimisht është interesuar për gjendjen në shkollë dhe ka premtuar se do të shqyrtojë mundësitë që bashkë me mërgimtarët tjerë të ndihmojë në përmirësimin e kushteve të mësimit dhe punës. 

 

Leave A Reply