parku__i_dijes_320x200Është thënë gjithmonë se dituria është bukuri. Këtë e kanë dëshmuar edhe nxënësit e klasës V-1,  të mësueses Adile Sahiti, të shkollës fillore “Dëshmorët e 5 Prillit”, në Smirë. Falë suksesit të tyre, në një garë të diturisë, që ka rezultuar me një shpërblim në vlerë monetare, është mundësuar krijimi i një pjese të gjelbëruar

të hapësirës përpara shkollës.  Kjo klasë ka fituar në konkursin kombëtar të diturisë, KOSOVISION CONTEST, të cilin e organizojnë Ministria e Arsimit dhe Instituti Ndërkombëtar për Projete Arsimore i Shkollës së Lartë Pedagogjike të Cyrihut (IPE/PHZH). 

Një juri vlerësuese i shpërblen për çdo vit 50 pllakatet dhe projekt-idetë më të mira nga 35 komunat e Kosovës. Klasat e zgjedhura (fituese) dhe mësimdhënësit e tyre mbështeten financiarisht dhe profesionalisht për realizimin e projekteve të tyre.  
Mësuesja Adile thotë se me  mjetet që janë fituar kanë  menduar të krijojnë një park të vogël para objektit shkollor, pasiqë sipas saj, shkolla ka nevojë për hapësira të tilla. “Nxënësit kanë qenë të mrekullueshëm. Kanë bashkëpunuar mirë dhe kanë bërë një punë të shkëlqyeshme. Punimi klasës sonë është zgjedhur ndër më të mirët në Kosovë dhe është shpërblyer me 500 euro. është menduar  që këto mjete të  investohen në mbjelljen e disa drunjve dekorativ dhe krijimin e një ambienti më të bukur shkollor. Po kështu, synohet që kjo të ndikojë në sensibilizimin e nxënësve që të kujdesen më shumë për natyrën. Besojmë se kjo pjesë do të mirëmbahet dhe do të zgjerohet  edhe më shumë në të ardhmen”, thotë mësuesja Adile. 
Ajo shpjegon se KOSOVISION CONTEST është projekt arsimor, në formë të një gare nacionale, për shkollat fillore në Kosovë dhe ky është sukses i madh i shkollës sonë.  
“Ai u dedikohet  nxënësve të klasave të pesta të të gjitha etnive në Kosovë. Kjo nënkupton pjesëmarrjen e 30’000 deri në 35’000 nxënëseve  në vit, të cilët gjatë projektit merren intensivisht me vendin e tyre dhe mendojnë për zgjidhjet e mundshme të problemeve aktuale. Fëmijët merren me tema nga mjedisi i tyre jetësor: bashkëjetesa, arsimi, ekonomia dhe infrastruktura. Ata diskutojnë për zgjidhjen e problemeve aktuale dhe me klasat e tyre i realizojnë idetë për të ardhmen e Kosovës, të cilat në formë të vizatimeve i vendosin në një tablo të përbashkët”, thotë ajo. 

Mësuesja Adile tregon se projekti i parkut ishte planifikuar të jetë më i kompletuar, të jetë në një pjesë tjetër të oborrit , të ketë edhe një fontanë në mes dhe të vendosen edhe disa ulëse aty, por për këtë ajo thotë se nuk ka gjetur përkrahjen  e prindërve dhe as të komunitetit në përgjithësi.  

Shkolla e Smirës “Dëshmorët e 5 Prillit” edhe vitin e kaluar ka fituar në këtë konkurs, me klasën e mësuesit Mustafë Hamiti. Me mjetet e fituara një klasë ishte renovuar dhe ishte kompletuar me inventar.

Leave A Reply