Vagëlushet simpatike nga Smira, Agnesa Sejdiu, Agnesa Agushi, Rina, Kaltrina, Erëza, Diana, Sumea dhe Eugerta, kanë pasur një prezantim të shkëlqyeshëm ne skenë. Ato kanë lënë përshtypje të mira tek publiku dhe juria, me vallet popullore “Laje ti moj goce” dhe “Vallja e Rugovës”.
“Jam shumë e lumtur. Kjo ishte një ditë shumë e mirë për mua, për nxënëset por edhe për prindërit e tyre. Më gëzon suksesi i tyre.. Kemi ushtruar shumë, vajzat janë shumë të mira dhe të talentuara. Kanë punuar me zell dhe arritën këtë rezultat të lakmueshëm. Edhe në shkollë na kanë pritur mirë-me duartrokitje dhe brohoritje, sepse ne e kemi përfaqësuar shkollën· dhe nderi pos vajzave i shkon krejt· shkollës në përgjithësi”, ka thënë mësuesja Ganimete.
Ajo thotë se ky është një motiv shtesë që nxënësit të merren më tutje me aktivitete të lira .
“Ne nuk do të ndalemi. Krahas mësimit do të vazhdojmë të merremi edhe me aktivitete të tilla, sepse kjo ndikon pozitivisht në botën psiko-fizike të fëmijëve. Planifikojmë të marrim pjesë edhe në manifestime tjera të mundshme dhe besojmë se do të arrijmë rezultate edhe më të mira”, shprehet mësuesja Ganimete.
Drejtori i shkollës Naim Agushi poashtu e ka përshëndetur këtë sukses të nxënëseve të klasës së parë.
“Është shumë inkurajuese që nxënëset në moshë kaq të re të kenë vullnet për të përgatitur diçka interesante, që i bën të ndihen mirë të gjithë. Sigurisht që shkolla nderohet kur arrihen rezultate të mira, pavarësisht në cilën fushë. I përgëzoj vajzat dhe mësuesen Ganimete që ka punuar me to”, ka thënë drejtori Agushi.
Ky është suksesi i dytë brenda tri ditësh i shkollës fillore “Dëshmorët e 5 Prillit”, të fshatit Smirë. Grupi “Yjet” nga kjo shkollë i përbërë nga gjashtë nxënëse, më 29 maj 2011, ka fituar vendin e parë, poashtu në vallëzim, në një manifestim të ngjashëm, të organizuar me rastin e Ditës së Fëmijëve nga kompania “Mediteran” dhe Drejtoria e Arsimit.