foto_klasa_IX_futboll_320x200Klasa IX-1 është kampione e shkollës fillore “Dëshmorët e 5 Prillit”, të Smirës, për sivjet. Ajo  është fituese  e turneut të shkollës që përfundoi të premten, duke mundur në finale klasën e VIII-1, me rezultat 3:2. Në këtë turne që ka zgjatur një javë, kanë marrë pjesë 12 ekipe prej klasave të gjashta deri  në të nëntat.

Valdrini në komentin e tij thotë se kanë qenë më të mirët dhe nuk kanë rastësisht kampion.  “Unë mendoj, se e kemi merituar një finale kaq të madhe dhe ja arritëm qëllimit, duke falënderuar edhe arsimtarin Shaqir Ibrahimi. Ka qenë një turnir që do mbahet në mend nga e gjithë shkolla fillore”, thotë Valdrini. 
Edhe Ilirijani shprehet i gëzuar me këtë sukses të klasës së tij. “Besoj se e kemi merituar këtë finale, sepse të gjithë lojtarët e kemi dhënë maksimumin në çdo ndeshje që e kemi zhvilluar”, shprehet ai.

Arsimtari i Edukatës Fizike, Shaqir Ibrahimi, tregon se turneu ka kaluar në atmosferë të mirë sportive dhe pa probleme.”Shumë mirë ka qenë. Nuk ka pasur incidente, të lënduar apo dëme në shkollë, siç ka ndodhur më herët të thyhen ndonjë xham i shkollës. Edhe atmosfera ka qenë e mrekullueshme. Turneu ka qenë në nivel dhe ka pasur lojëra të mira. Ky aktivitet është përcjellur me interesim të madh nga nxënësit, mësimdhënësit dhe ndonjë prind që ka ardhur”, ka thënë Shaqiri. 

Sipas tij, ky turne ka qenë i paraparë me planprogram shkollor si garë kolektive. “Po përpiqemi që edhe duke përmbushur planin shkollor, njëkohësisht të krijojmë një vetëdije më të lartë tek nxënësit  për të kultivuar sportet më shumë, sepse janë të rëndësishëm për zhvillimin psiko-fizik të tyre”, thotë arsimtari Shaqë.
Lojtari më i mirë mbrojtës është shpallur Valdrin Maliqi, mesfushori më i mirë-Adnan Ramadani, Sulmuesi më i mirë- Ilirian Jetishi dhe portieri më i mirë i turneut është shpallur Shpend Ahmeti. Të gjithë këta do të nderohen me mirënjohje, si futbollistë të dalluar.
Arsimtari Shaqir,  tregon se anëtarët e ekipit fitues: Valdrin Maliqi, Adnan Ramadani, Ermirion Sylejmani, Ilirian Jetishi, Dorand Fejzullahu, Gazmend Ahmeti, do të marrin si shpërblim nga një komplet fanelash të futbollit, kurse vendi i dytë, klasa VIII-1, do të shpërblehet me një top futbolli. Sipas, arsimtarit Shaqir Ibrahimi, shpërblimet do të blihen me paratë që janë mbledhur nga ekipet që kanë marrë pjesë në turne.

Leave A Reply