Në javën e VI të kësaj gare komunale të dijes, shkolla e Smirës ka fituar 125 pikë, duke humbur nga Shkolla fillore “28 Nëntori”, e Vërbanit, që tuboi 156 pikë. Kuizi u zhvillua në 7 lëndë, me nga 5 pyetje: Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, Histori, Gjeografi, Edukatë Qytetare, Matematikë, Kimi-Fizikë, Teknologji Informative. Rezultatet më të mira, ekipi nga Smira i arriti në shkencat ekzakte, kurse më i dobët ishte në lëndët shoqërore. Rezultatet komplete në secilën fushë ishin si në vazhdim:
Gjuhë dhe Letërsi Shqipe: Smira 17-Vërbani 27;
Histori: Smira 12 – Vërbani 17;
Gjeografi: Smira 12-Vërbani 22;
Edukatë Qytetare: Smira 19-Vërbani 19;
Matematikë: Smira 25-Vërbani 22;
Kimi-Fizikë: Smira 20-Vërbani 27;
Teknologji Informative: Smira 20-Vërbani 22
Drejtori i Shkollës fillore “Dëshmorët e 5 Prillit”, Naim Agushi, i tha portalit fshatismire.com se rezultati i treguar në kuiz, është pasqyrë e nivelit të arsimit në këtë shkollë:
“Ndoshta ky ekip që ka qenë, ka mundur të japë më shumë nga vetja. Por në përgjithësi ky është niveli ynë. Kjo vjen nga neglizhenca e një pjese të personelit tonë. Mungon përkushtimi i duhur në punë. Këtë e kam potencuar disa herë në mbledhjet e Këshillit të arsimtarëve”, ka thënë Agushi.
Ai ka shtuar se këto rezultate do të shqyrtohen seriozisht nga ana e shkollës, sepse janë brengosëse:
“Javën që vjen do të mbajmë një mbledhje dhe do t`i analizojmë një nga një rezultatet për secilën lëndë. Duhet të punohet më shumë në mënyrë që niveli i njohurive të ngritet në shkollën tonë. Kjo gjendje është e palakmueshme”, është shprehur drejtori Agushi.
Arsimtari Heset Zuka poashtu shprehet i zhgënjyer me rezultatet e dobëta që tregoi shkolla e Smirës:
“Ndoshta fajet i kanë të gjithë ngapak, edhe arsimtarët edhe prindërit, por nxënësit janë shumë të padisiplinuar dhe joseriozë në mësime. Megjithatë kam pritur më shumë se kaq”, ka thënë Zuka.
Kuizi “Vitia-djep i shkollës shqipe”, organizohet nga TV “Iliria” në bashkëpunim me Drejtorinë Komunale të Arsimit dhe në mbështetje të kryetarit të komunës Nexhmedin Arifi.