Nxënësit e klasës së mësueses Ganimete Shabiu kanë shfaqur sot para prindërve dhe mësimdhënësve një program të larmishëm artistik. Një pjesë të madhe të programit, ata, ia kushtuan pikërisht Abetares-mjetit që u dha alfabetin.
“Jam e lumtur që bashkë treguam para prindërve se kemi bërë diçka. Natyrisht nuk ka qenë lehtë, ka pasur vështirësi derisa i kanë mësuar të gjitha këto vjersha, këngë e valle, por kryesorja besoj se ia kemi arritur qëlllimit dhe të pranishmëve iu ka pëlqyer programi. Për këtë e kam pasur edhe mbështetjen e prindërve”, thotë mësuesja Ganimete, tek po u ndante në fund nxënësve pjesë nga torta e merituar.
Vjersha, këngë, valle e pika të tjera u shfaqën para të pranishmëve të shumtë në “Festën e Abetares”, në Smirë. Prindërit shpreheshin të entuziazmuar me programin dhe iu pëlqyen shumë pikat që u dhuruan fëmijët.
“Shumë interesant. Është mirë që po e shënojnë përfundimin e Abetares dhe që po kalojnë në një fazë tjetër të mësimit. Ne këtë lloj feste nuk e kemi përjetuar kur kemi qenë të vegjël”, shprehej Arben Sejdiu.
I kënaqur ishte edhe Izjadin Ahmeti. “Mirë shumë. Jam i lumtur që nxënësit bënë shfaqje të mirë dhe u prezantuan bukur. Më pëlqeu krejt ajo që kishin përgatitur për ne”, thotë Izjadini.
Edhe Nijazi Fejzullahu u shpreh me fjalë të mira për atë që përcolli. “Na kënaqën me ato vjersha, këngë e valle. Për këtë e falënderojmë mësuesen që ka punuar me nxënësit. Është mirë që programe të ngjashme të bëhen më shpesh”, thotë Nijaziu.
Përndryshe, këtë festë me një program artistik do ta shenojë javën e ardhshme edhe mësuesja tjetër e klasës së parë, Habibe Ibishi.
“Festa e Abetares”, është bërë manifestim tradicional në shkollat e Kosovës, nga viti 2009, sipas një vendimi të ministrit të Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Enver Hoxhaj.