Mësuesja Habibe, thotë se ka dashur të bëjë diçka të mirë për të shënuar mësimin e të gjitha shkronjave të alfabetit. “Është mirë që organizohet kjo festë e Abetares. Kam punuar qe një kohë me ta. Kemi përgatitur këtë program, i cili besoj se u pëlqeu të pranishmëve. Jam e kënaqur që kemi bërë këtë aktivitet, për t`i gëzuar fëmijët dhe prindërit e tyre. Ka mundur të jetë akoma më mirë, por disa probleme shëndetësore më kanë penguar pak. Megjithatë qëllimi është arritur-fëmijët dhe prindërit janë të gëzuar sot”, shprehet mësuesja Habibe. Ajo thotë se është e kënaqur me përvetësimin e Abetares nga nxënësit. “Tashti librin e parë të nxënësve-Abetaren e kemi përfunduar. Kanë arritur mjaft. E kanë përpunuar mirë alfabetin. Tashti do të kalojmë në fazën tjetër të mësimit dhe besoj se nxënësit do të arrijnë rezultate të mira edhe në vazhdim. Pas përshëndetjes me Abetaren, atyre iu janë hapur dritare të reja të diturisë për tërë jetën, sepse tashti ata dinë shkrim e lexim”, thotë mësuesja Habibe.
E kënaqur me këtë shfaqje ishte edhe Lumturije Misini që kishte ardhur ta shihte vajzën e të vëllait-Artiolën. ”Shumë interesante. Kjo është diçka e re për ne, sepse kur ne kemi qenë nxënës nuk ka pasur kësi feste. E falënderoj mësuesen Habibe për këtë program por edhe për punën që po e bën me nxënës”, thohtë Lumturija.
Poashtu Kadrije Avdyli që po përcillte nipin Valzonin, kishte fjalë miradije për këtë aktivitet. “Mirë ishte. Më pëlqeu shumë. është mirë të ketë gjëra të tilla të mira në shkollë. Nipi im ka arritur ta përvetësojë mirë Abetaren dhe tashti vazhdon tutje”, thotë Kadrije Avdyli.
Programe të tilla për festën e Abeteras, ditë më parë, kanë shfaqur edhe nxënësit e klasave të para të mësimdhënësve Mustafë Hamiti dhe Ganimete Shabiu.
“Festa e Abetares” me një vendim të ministrit të atëhershëm të Arsimit, Enver Hoxhaj, më 2009, është shndërruar në manifestim tradicional në shkollat fillore të Kosovës.