Smiras_ne_mal_2_Smiras_ne_mal_Banorët e fshatit Smirë janë të vetëdijshëm se janë me fat për  bukuritë që u ka dhuruar natyra. Prandaj edhe nuk e lënë pa i shijuar ato. Smiras, qoftë vetëm, apo në grupe, varësisht nga lidhjet familjare apo shoqërore, çdo vikend, disa edhe më shpesh, dalin  në piknik, për të ecur nëpër male, për relaks dhe për argëtim e pushim.

Të dielën e fundit të shkurtit, edhe ne kaluam një pjesë të kohës me disa prej tyre, për të shijuar bashkë këtë atmosferë që krijojnë. Makina nuk na u ngjit shumë lart, për shkak se rruga ishte me borë. Na mbeti te Demirajt, sepse aty edhe fillon terreni më i rrëpishëm, e me të edhe bukuritë e pjesës malore të fshatit. Nga aty vazhduam këmbë përpjetë….

Rrugës, afër varrezave të Bjeshkallavës, takuam Hysni Bislimin. Ai po kthehej në shtëpi, për një vizitë familjare.  “Mua më duhet të shkoj. Ata tjerët janë lart. E kanë ndezur zjarrin dhe po bëjnë gati edhe ushqimin. Mos u ngut. Ke kohë sa të duash. Zakonisht rrinë deri ka ora 16:00”, na tha xha Hysniu.

Ai tregoi se është ndër ata që më së shpeshti del në pjesën malore të fshatit , me shokë e të afërm.  “Dalim shpesh. Ndihem i lehtësuar dhe i qetë kur eci malit, në ajër të pastër dhe natyrë të bukur. Kur është moti i mirë, shkojmë edhe deri te ‘Dardha e arushës’”, rrëthen ai.

Vazhduam përpjetë duke shijuar pamjet panoramike të fshatit. Prapa lenim lagjet e ndërtuara dhe të ngjeshura që kanë hedhur shtat  në tokën stërgjyshor të smirasve. Përpara kishim rrugën që gjarpëronte drejt kodrinave të mbuluara me borë. Dhe anash, majtas e djathtas-reliefin e ndryshueshëm me bimë e shkurre. Gjurmët e këmbëve në borë,  tregonin se jo pak smiras ua kishin mësyrë vendeve të tyre të preferuara ku ata dalin, sidomos, në fundjavë.

Në vendin e quajtur “Te vneshtat”, rrëzë malit,  takuam një grup të smirasve duke pjekur suxhuk në atmosferën e humorit dhe gazit. Të bashkuar rreth zjarrit, në ato momente, ishin Halit Ademi, Shaban Azemin, Florent Ymeri, Ismajl Jahiu e Enver Azemi, i cili kishte ardhur nga diaspora qe një kohë dhe po shijonte kënaqësitë e vendlindjes. Më vonë atyre iu bashkuan edhe disa të tjerë.
Haliti, që ishte më i vjetri, edhe luante rolin e nikoqirit të vatrës. Ai tha se, çdo vikend, zakonisht  dalin në këtë vend, ndoshta nga  nostalgjia.

“Më shumë e preferojmë këtë pjesë, sepse këtu kemi frekuentuar shumë kur kemi qenë të vegjël. Kemi lozur e jemi argëtuar. Dikush edhe ka ruajtur bagëtinë. Por, edhe kështu është vend i bukur, pitoresk dhe ka pamje të mirë. Na pëlqen, ndihemi të relaksuar dhe  kënaqemi bashkë. Sot jemi më pak, por këtu bëhemi edhe nga 10-15 veta, kryesisht të Lagjes së Lumit. Nganjëherë edhe dalim përpjetë malit për të ecur”, ka thënë  Haliti, duke na ofruar biskota. Ai na ftoi edhe për drekë. Suxhuk, peshk dhe pije, kishte me bollëk.

U larguam nga ky grup që po kënaqej dhe vazhduam tutje për të takuar të tjerë smiras që kishin ikur në natyrë për të shkarkuar ngarkesën dhe stresin e mbledhur gjatë javës së punës.

Duke u ngjitur pak më lart, vërejmë tymin që paralajmëronte edhe për pika tjera të qëndrimit në natyrë. Në “Rrafshin e Vneshtave”, në një hapësirë pa drunj, ishin mbledhur rreth zjarrit dhe bisedonin Ismajlhaki Zuka, Ibrahim Ademi, Nazmi Shabani, Veton Ademi, Zekirja Zuka, Hyzri Ibishi, Fevzi Ademi, Qahil Imeri,  Jahja Zuka, Mustafë Ademi dhe  Nexhmedin Bajrami nga Stagova e Kaçaniku-nip i Dikve.
Ismajlhaki Zuka tregon se tradita e daljes në natyrë i ka rrënjët ndoshta para 40 vjetësh.
“Edhe kur vinim për t`u furnizuar me drurë apo për të nxjerrë gurë, merrnim me vete edhe ushqim dhe përgatitnim çaj. Më vonë kemi filluar të dalim edhe për qef,  duke marrë me vete poashtu ushqime. Në fillim, më pak, e mandej janë bërë më shumë veta. Tashti është bërë traditë dhe gati nuk ka ditë që nuk dalim për të ecur përpjetë. Kurse gjatë vikendeve bëhemi më kallaballak deri 10-15 njerëz dhe qëndrojmë më gjatë këtu”, thotë xha Ismajlhakiu.
Ai thotë se nuk qëndrojnë vetëm në një vend, por bëjnë sheti nëpër mal, edhe deri te vendi i quajtur “Livadhi i Zenelit”.

Zeka na ofron bukë me suxhuk-të pjekur në nxehtësinë e prushit dhe birrë peje. Ai kujdesej për zjarrin dhe tregon se atë e përgatit kush mbërrin i pari.
“Zakonisht pas orës 10 fillojmë të mblidhemi dhe rrimë deri kah ora 16:00, varësisht prej stinës. Verës natyrisht edhe më vonë. Këtu është shumë mirë, sepse gjatë gjithë ditës të rrah dielli. Mandej kodrinat përballë dhe anash kanë pamje të bukur”, shprehet Zeka.
Ai shton se kur bën vapë gjatë ditëve të nxehta, e ndërrojnë vendqënrimin dhe shkojnë në mes të kodrave më në lug, ku është më freskët.
Pas ushqimit, Fevziu na gostiti edhe me çaj rusi, siç e do rendi.

Biseda merr kahje të ndryshme, por, disponimi nuk prishet. Si zakonisht, për humorin dhe atmosferën  gazmore kujdesen Hysa dhe Qahili. Ata me barcoletat dhe batutat e tyre, i bënin të tjerët të mbajnë brinjtë duke qeshur. “Nervoza nuk ka vend në natyrë. Ne kemi dalur të kënaqemi në ajër të pastër dhe të qeshim”, tha Hysi.
Në këtë atmosferë po kënaqej edhe Mustafa, që kishte ardhur për pushim nga Gjeneva e Zvicrës. “Shumë interesant po më duket dhe shumë mirë po kaloj. Në këtë pjesë nuk kam qenë qe 13 vite. Më paska marrë malli për këto vende ku kemi dalë si fëmijë. Edhe organizimi që po u bëka po më pëlqen. Ia vlen të dalësh kështu në ajër të pastër”, thotë Mustafa i relaksuar dhe me fytyrë të qeshur nga gëzimi.
Kaluan tri orë pa i vërejtur fare, duke folur për çështje të ndryshme e duke qeshur.

Rreth orës 15:00, ikëm teposhtë, bashkë me Ismajlhaki Zukën dhe Ibrahim Ademin, kurse të tjerët  i lamë në “Rrafshin e vneshtës”.
Rrugës për në shtëpi, biseda merr kahje më serioze. Flasim për çështje publike të fshatit dhe për të kaluarën e tij. Por, në fund, caktojmë takimin sërish pas një jave në të njëjtin vend- “Te vneshtat”.

Në anën tjetër të fshatit-“Te rrafshi Çarshisë” takojmë të tjerë smiras duke shijuar bukuritë natyrore dhe ajrin e pastër që kemi. Besim Rexhepi, kishte dalë me kushërinj për të ecur malit.
“Për çdo të diel, jam në mal. Ditëve tjera jam në punë, por në vikend nuk e lë pa  ecur. Kam nevojë edhe për shëndet më të mirë edhe për të hequr stresin”, shprehet Besimi. Ai tregon se sidomos kur bën koha e mirë, njeëzit dalin edhe me familje dhe bëjnë edhe flija. Më poshtë hasëm në Agimin që po ngitej me kali malit dhe disa fëmijë që kishin mbledhur krande.

Në mbrëmje, u kthyem në shtëpi, duke lënë pas një ditë të mrekullueshme, duke shijuar natyrën e ngrohtë të vendlindjes-Smirës sonë të dashur,  /Tefik Salihu/

Leave A Reply