-Smira gjendet në rajonin e Anamoravës,  rrëzë maleve të  Karadakut, rreth 4 kilometra në jugperëndim të Vitisë, në lartësi mbidetare prej 550-650 metra.  Pozita gjeografike ka ndikuar që në Smirë të kryqëzohen rrugë të rëndësishme që nga kohët e lashta. Lokaliteti i Smirës u formua dhe u zhvillua në rrugën e vjetër tregtare e cila lidhte Ulpianën me Shkupin dhe më gjerë. Këtë e dëshmon edhe toponimi “Udha e Shkupit”, i cili ende ruhet në popull. 

Smira edhe sot është e lidhur, apo korrespondon  me rrugë të rëndësishme. Nga magjistralja Prishtinë-Shkup dhe njëkohësisht  nga qasja në hekurudhë (në Gërlicë) e ndajnë vetëm 13 km, kurse nga rruga rajonale Viti-Gërlicë e ndajnë 2 km, e cila mundëson lidhje të shpejtë me Gjilanin (20 km), Ferizajn (20 km), Prishtinën (50 km) dhe Shkupin (50 km). Smira, poashtu nuk është shumë larg dy aeroporteve të rajonit: atij të Prishtinës 80 km dhe të Shkupit 82 km.

 

Pozita gjeografike e Smirës ofron mundësi për shfrytëzimin e dy rajoneve me karakter të ndryshëm ekonomik: nga njëra anë, fushat e rrafshta për bujqësi dhe nga ana tjetër malet me begatitë e tyre. Kjo pozitë ka mundësuar që Smira përherë të jetë vendbanim i madh dhe i rëndësishëm në këtë trevë, si në aspektin ekonomik e politik, poashtu  edhe në atë kulturor, arsimor etj.

Leave A Reply