Kuvendi Komunal i Vitisë, ka miratuar sot Kornizën Afatmesme Buxherore 2020-2021.
Seanca e sotshme ishte vazhdim i asaj së të enjtes, e cila ishte ndërprerë në mungesë të kuorumit, pasi opozita kishte braktisur mbledhjen. Ndonëse edhe këtë seancë, pjesa dërmuese e këshilltarëve të opozitës nuk mori pjesë, megjithatë Kuvendi kishte kuorumin e mjaftueshëm dhe procedoi me pikat e rendit të ditës.
Propozim vendimin për shqyrtimin dhe miratimin e Kornizës Afatmesme Buxhetore (KAB), 2020-2021, e paraqiti drejtori për Financa dhe Zhvillim ekonomik Ibrahim Rama, i cili mes tjerash theksoi se ky projeksion i buxhetit për vitin 2020 është 12 mil. 305 mijë euro, apo 905 mijë euro më shumë.

Asambleistët e partive të opozitës, të Lëvizjes Vetëvendosje, Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, nuk morën pjesë në Kuvend në shenjë pakënaqësie sepse, sipas tyre Korniza Afatmesme Buxhetore 2020-2021 nuk kishte kaluar përmes Komitetit për Politikë dhe Financa siç parashihet me ligjin për vetëqeverisje lokale dhe se kjo kornizë do të ishte dashtë të miratohej deri me 30 qershor.

Para fillimit të mbledhjes, Samet Idrizi i PDK-së dhe Rasim Terziu i Nismës, njoftuan se aktivitetin e tyre do ta ushtrojnë si të pavarur në Kuvendin Komunal duke dhënë dorëheqje nga subjektet politike përkatëse dhe duke lënë të kuptohet se do të jenë përkrah ekzekutivit komunal.

Leave A Reply