Një delegacion nga Komuna e Vitisë, në krye me zv. Kryetarin e kësaj komune, Hasan Aliu po merr pjesë në konferencën ndërkombëtare mbi rezultatet e projektit „Partneritetet e qëndrueshme komunale” në Beograd të Serbisë. Kjo konferencë po mbahet në kuadër të bashkëpunimit të Qendrës së Shërbimeve të Komunave në një Botë (SKEW), Engagement Global me Ministrinë Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ) si dhe me mbështetjen e Shoqërisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ) në Serbi. Gjatë kësaj konferencë ndër tjerash janë prezantuar rezultatetet pas përfundimit të një bashkëpunimi dy-vjeçar të komunave partnere mbi Axhendën 2030, në të cilën Komuna e Vitisë ka bashkëpunuar me Komunën Kirchhain nga Hesseni i Gjermanisë si dhe fshatrat e tyre Smira me Kleinselheimin dhe atë në një fazë pilote. Gjithashtu në kuadër të këtij bashkëpunimi gjatë këtij viti janë realizuar nga një projekt në fshatrat Smirë dhe Kleinselheim që kanë të bëjnë me objektivat e parapara në kuadër të Agjendës 2030 të Kombëve të Bashkuara. Përndryshe pjesë e këtij delegacioni nga Vitia janë edhe Mustaf Mehmeti, Zyrtar për Informim Publik, Tefik Salihu nga shoqëria civile dhe fshati Smirë si dhe profesori nga Universiteti i Prishtinës, Arben Mehmeti i cili ishte edhe nismëtar i këtij bashkëpunimi me profesorin gjerman Rainer Waldhardt. Kurse gjatë këtij takimi zv. Kryetari Aliu në shënjë respekti për bashkëpunimin e mirë në mes të Komunës së Vitisë me Komunën Kirchhain i ka ndarë në emër të kryetarit të kësaj komune, Sokol Haliti një dhuratë komunës partnere nga gjermania. Zv. Kryetari Aliu por edhe përfaqësuesit nga komuna gjermane theksuan se për këto dy vite ata kanë pasur një bashkëpunim të mirë mes tyre dhe theksuan se ata janë të interesuar që ky bashkëpunim të vazhdoj. Në kuadër të këtij projekti në Smirë janë mbjellur drunjë përreth rrugës kryesore. /Komuna e Vitise/


