Skollat e komunës së Vitisë do të digjitalizohen së shpejti. Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti ka nënshkruar një marrëveshje për bashkëfinancimin e projektit “Përkrahja e Iniciativave Shkollore” me Fondacionin Kosovë-Luksemburg të përfaqësuar nga Fisnik Beqiri, menaxher drejtor i këtij fondacioni. Sipas marrëveshjes së nënshkruar nga dy palët, ky aktivitet ka për qëllim avancimin dhe zhvillimin e procesit edukativo-arsimor, duke i pajisur shkollat e përzgjedhura me laptopë dhe video-projektorë dhe atë duke u bazuar në kurrikulën shtetërore të arsimit. Sipas marrëveshjes së nënshkruar ky projekt do të financohet me 80% të mjeteve nga Fondacioni Kosovë-Luksemburg, kurse 20% do të financohet nga vetë komuna.
Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, tha se projekti do t’iu mundësojë nxënësve edukim dhe arsimim në hap me teknologjinë e re. “Me të vërtetë sot kemi nënshkruar një projekt të rëndësishëm, i cili do të jetë në interes të plotë të sektorit të arsimit në Viti. Në ditët e sotme kur po jetojmë nën shoqërimin e teknologjisë është e rëndësishme që nxënësit tanë të përgatitën në përdorimin e teknologjisë për edukim dhe arsimim cilësorë”, u shpreh ndër tjerash kryetari Haliti. Ai falënderoi në veçanti Fondacionin Kosovë-Luksemburg i cili ka parë të arsyeshëm që të bashkëpunoj me komunën e Vitisë në realizimin e këtij projekti të rëndësishëm. Përndryshe në nënshkrimin e kësaj marrëveshje e pranishme ishte edhe Fatbardha Emini, Drejtoresh e Arsimit në Viti e cili po ashtu pati fjalë miradije për këtë projekt.


