Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), ka ftuar për sot protestë për të kërkuar kushte më të mira për punëtorët. Kryetari i BSPK-së, Avni Ajdini, tha se zbatimi i ligjit, siguria në punë, njohja e përvojës së punës për vitet ‘90-‘99 dhe sigurimi shëndetësor, janë kërkesat që do të parashtrohen në këtë protestë. “Te ne ka shumë shkelje drastike të të drejtave të punëtorit, nuk respektohet ligji i punës, kontrata kolektive dhe kontrata individuale. Siguria në vendet e punës është e pakënaqshme, premtimet që janë dhënë janë të pakënaqshme, prandaj në protestë do të kërkojmë që politika të ketë kujdes në atë se çka është duke bërë për punëtorët”, është shprehur kreu i BSPK-së.
Kjo protestë, sipas udhëheqësve të BSPK-së, do të bëhet për t’iu tërhequr vërejtjen qeveritarëve se nuk janë duke bërë sa duhet për të drejtat e punëtorëve.
Protesta do të fillojë në orën 12:00, në sheshin e Prishtinës.


