Policia e Kosovës, bazuar në angazhimet dhe planifikimet e saja, vlerëson se situata e sigurisë është e qetë dhe stabile, por për të mbretëruar një situatë e tillë edhe gjatë përmbylljes së këtij fundviti dhe fillimit sa më të mbarë të vitit të ri 2018, janë paraparë masat e nevojshme policore. Por, kërkohet edhe një përkushtim dhe vigjilencë e shtuar e të gjithë qytetarëve dhe institucioneve të vendit tonë.
Policia e Kosovës sikurse edhe viteve të kaluara, edhe për festat e këtij fundviti ka përgatitur planin operativ “Fund-viti 2017/2018”, për të ofruar siguri, rend dhe qetësi publike në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
Qëllimi primar i këtij planifikimi dhe angazhimi i Policisë së Kosovës, sipas Apelit të PK-së dërguar mediave, është ruajtja e rendit dhe qetësisë publike në mbarë vendin, parandalimi dhe luftimi i dukurive negative dhe akteve të ndryshme kriminale.
Poashtu PK-ja me theks të veçantë apelon tek çdo prind që të jenë më të kujdesshëm dhe më vigjilentë në parandalimin e përdorimit të mjeteve piroteknike nga fëmijët, me qëllim të shmangies së rrezikut që mund të shkaktojnë mjetet plasëse, fishekzjarrët, ku si pasojë e mospërdorimit adekuat të tyre vite më parë janë evidentuar incidente me pasoja të ndryshme.
Në të kundërtën Policia e Kosovës do të ndërmarrë të gjitha veprimet e menjëhershme ligjore kudo që vëren se janë përdorur armë apo mjete tjera të kundërligjshme gjatë festimeve të fundvitit.
Policia e Kosovës ua uron të gjithë qytetarëve të Kosovës festat e fundvitit!


