Në Pozheran kanë nisur punimet për objektin e ri të Shkollës fillore “Halil Alidemaj”. Në emër të banorëve të fshatit, Naim Pira njëherit edhe kryesues i Kuvendit Komunal në Viti, ka theksuar rëndësinë që ka shkolla e Pozheranit, duke përmendur edhe kontributin në periudha të ndryshme, qysh nga themelimi i shkollës së parë shqipe nga mësuesi Islam Pira. “Ky gurthemel i shkollës së re, po bëhet në 111 vjetorin e shkollës së parë shqipe në Pozheran, andaj ka qenë e nevojë imediate për këta nxënës dhe në përgjithësi për këtë lokalitet”, ka thënë Pira.
Kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti, duke falënderuar gjithë ata që e mbështetën për të nisur realizimi i këtij projekti, në veçanti Ministrinë e Arsimit, ka thënë se për ndërtimin e kësaj shkolle, kontributi ka qenë i përbashkët, sikur edhe të projekteve të tjera që janë realizuar në Pozheran. “Po e vendosim një gurthemel të një shkolle e cila është prodhim i shkollës së parë shqipe, ku gravitojnë mbi 1000 nxënës. Meritat për këtë i kemi të përbashkëta, si komuna e Vitisë, Kuvendi Komunal, partitë politike, niveli qendror dhe të gjithë ata që po kontribuojnë për të mirën e këtij vendi. Ne bashkë e arritëm pavarësimin e shkollës së mesme këtu në Pozheran, sikur që arritëm të zbukurojmë qendrën e këtij lokaliteti me parkun, ndërtuam ambulantën, infrastrukturën dhe projektet tjera që po i realizojmë”, ka thënë kryetari Haliti.
Drejtoresha e shkollës “Halil Alidemaj”, Valbona Halimi meritat për fillimin e punimeve për shkollën ia atribuoi kryetarit të komunës Sokol Haliti, por shprehu falënderim edhe për përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit. Zv/ministri i Arsimit Mevludin Krasniqi, ka thënë se ky lokalitet meriton një investim të tillë, meriton një shkollë të re sepse në periudha të ndryshme ka dhënë kuadro që i kanë kontribuar vendit, siç është atdhetari Halil Alidemaj.
Ndërtimi i objektit të ri shkollor në këtë fshat, do të financohet me 3 milionë euro nga Mnistria e Arsimit.


