Që nga e hëna, më 24 tetor 2016, nxënësit e SHFMU “Dëshmorët e 5 Prillit”, në Smirë, mësimin do të vijojnë me orar të rregullt. Rinovimi i pjesës së vjetër të objektit të shkollës, ka përfunduar. Është bërë edhe pranimi teknik i punimeve të kryera. Objektit i është ndërruar kulmi, është bërë izolimi dhe fasadimi jashtë, është instaluar rrjeti i ri elektrik dhe është fasaduar brenda. Është instaluar edhe sistemi i alarmit dhe i kamerave të sigurisë.
Projekti që ka kushtuar rreth 95 mijë €, ka nisur të realizohet në fund të gushtit dhe është financuar nga Fondacioni Kosovë-Luksemburg dhe Komuna e Vitisë.
Ndryshe, revitalizimi i objektit shkollor është vetëm njëra nga tri komponentet e një projekti më të madh me të cilin Këshilli i Fshatit Smirë kishe aplikuar tek Fondacioni Kosovë-Luksemburg, por i cili nuk është aprovuar si i plotë.
Drejtori Xhavit Sahiti ka falënderuar nxënësit, prindërit dhe personelin arsimor për mirëkuptimin që kanë pasur për shkak se mësimi është mbajtur me orar të ndryshuar dhe në kushte juadekuate, në aneksin katërklasësh të shkollës. Që nga fillimi i vitit të ri shkollor mësimi gjatë ditëve të punës është mbajtur në tri turne, kurse të shtunën dhe të dielën-në dy turne.


