Komuna e Vitisë, respektivisht Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, shenjtërimin e Nënës Terezë po e përcjell  me aktivitete kulturore e sportive. Manifestimet kanë nisur nga Shenjtorja në Letnicë,  nga ku  Gonxhe Bojaxhiu-Nëna Terezë kishte ndier thirrjen që të filloj misionin e saj për paqe dhe dashuri në botë.
 Besimtarë të krishterë, por edhe qytetarët të konfesioneve të tjera të cilët bartnin  fanela me figurën e Nënës Terezë, kanë marrë pjesë në marshin me biçikleta për të simbolizuar rrugëtimin e saj nga fshati Letnicë nëpër botë ku u bë e njohur si misionare e paqes dhe dashurisë.
Emrush Azemi, përgjegjës i sektorit për Rini dhe Sport në emër të institucioneve komunale ndër tjerash foli edhe për rëndësinë që  Letnica ka në misionin e Nënës Terezë. “Në këtë vend të shenjtë ndodhi një mrekulli hyjnore e Zonjës së Letnicës. Ne ketë vend të bekuar nis rrugëtimi i misionares për dashuri mes njerëzve, të pa strehëve, shpresës së skamnorëve, shpresës së të sëmurve  si vlera dhe virtyte të civilizimit njerëzor dhe trashëgimisë kombëtare. Nga kjo fole e engjëjve të Letnicës, u nis  Nëna Terezë  për të marrë më 1979 Çmimin Nobel për Paqe. Sot neve bashkërisht na tubuan shpirtrat e engjëjve për marshim nga vendi i bekuar i nisjes së misionares Gonxhe Bojaxhiu- Nënë Tereza për ti treguar Botës për vlerat e këtij popull të paqes, dashurisë, shpresës dhe optimizmit për njerëzit ” u shpreh Azemi.
Famullitari i kishës së Letnicës, Don Marjan Lorenci falënderoi institucionet komunale të Vitisë, në veçanti kryetarin e kësaj komune, Sokol Haliti për organizimin institucional në shënimin e kësaj dite duke theksuar se përkundër një historie të hidhur shqiptarët kanë mbetur të bashkuar. “Më lejoni që në rend të parë të falënderoj kryetarin e Komunës së Vitisë dhe stafin e tij, për këtë organizim me rastin e shenjtërimit të Nënë Terezës. Kjo tregon se shqiptarët edhe pse kemi pasur një histori të hidhur, asgjë nuk ka mundur të na ndaj prej vëllazërisë.” U shpreh Famullitari Lorenci.
Aktivitete për nder të kësaj ngjarje, do të ketë edhe nesër. Nga ora 10:00, në kinemanë e qytetit në Viti, do të bëhet transmetimi i drejtpërdrejtë i ceremonisë së shenjtërimit të Nënës Terezë, e cila do të zhvillohet në Vatikan. Po ashtu gjatë kësaj dite në kinemanë e qytetit në Viti, në ora 16:00, do të shfaqet edhe filmi dokumentar kushtuar veprës jetësore të Gonxhe Bojaxhiut-Nëna Terezë.

Leave A Reply