Komuna e Vitisë do t`i mbështesë këtë sezonë klubet e futbollit ‘Vitia’ dhe ‘Vllaznia’. Krytari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti ka nënshkruar sot një memorandum për mbështetje financiare me përfaqësues e këtyre dy klubeve. Me këtë dokument parashihet që komuna t`i heqë shpenzimet e transportit, ushqimin për lojtarët, shpenzimet administrative, pagesat e gjyqtarëve etj.
Në takim me përfaqëseusit e klubeve ishin edhe kryesuesi i Kuvendit Komunal, Naim Pira dhe drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Kaltrina Sylejmani.
Kryetari Haliti tha se në kuadër të këtij bashkëpunimi të mirë, me klubet futbollistike, komuna po mundohet të mbulojë zbrazëtirat e mundshme gjatë garave brenda kësaj sezone. “Është kënaqësi që sot kemi arritur një marrëveshje bashkëpunimi me këto dy klube që garojnë në ligën e parë. Me të vërtetë është për çdo lëvdatë bashkëpunimi i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport dhe klubeve futbollistike “Vitia” dhe “Vllaznia” që me përkushtimin shumë të madh po punojnë në konsolidimin e këtyre klubeve, natyrisht ne këto kushte të cilat ne i kemi’, u shpreh Haliti. Sipas tij, Komuna e Vitisë do të jetë e përgjegjshme të kryej obligimet që dalin nga ky memorandum me qëllim që këto klube të arrijnë suksese të mëdha në nivel vendi duke ju uruar atyre suksese gjatë garave.
Besim Halimi, kryetari i KF “Vllaznia” tha se ky memorandum është nënshkruar me nismën e kryetarit Haliti dhe drejtoreshës Sylejmani. Ai bëri me dije se si përfaqësues i këtij klubi janë të kënaqur me përkrahjen dhe mbështetjen që komuna po i jep klubit të tyre.
Arben Ibishi, drejtor ekzekutiv i KF “Vitia” tha se nënshkrimi i këtij memorandumi e obligon këtë klub që të arrijë suksese edhe më të mëdha në futboll. Ndërkaq, Kaltrina Sylejmani, iu uroi suksese të dy klubeve duke potencuar se dëshira e saj është që ato t`i shohë në krye të tabelës gjatë garave.


