Ismet Ferizaj, ish-deputet i Parlamentit të Shqipërisë, Sami Ibrahimi, ish-deputet i Parlamentit të Maqedonisë dhe Hysni Salihu, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, në legjislaturat e këtyre institucioneve këtyre tri shteteve gjatë periudhës kohore 1990 – 1998, kanë një të përbashkët-vendlindjen. Ferizaj, Ibrahimi dhe Salihu, janë të lindur në Smirë të Vitisë dhe që të tre një kohë ishin deputet  në parlamentet e tri shteteve-Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kosovës. Kjo e veçantë i bënë krenar jo vetëm deputetët që ishin të zgjedhur në këto legjislatura, por edhe vetë smirasit, pasi secili nga këta deputet kanë dhënë një kontribut të çmuar për progresin që ka arritur populli shqiptar në të tri këto shtete. Deputeti Ismet Ferizaj, për shkak të angazhimeve të tij në lëvizjet e kohës për çlirim të Kosovës, në vitin 1960 u arratis në Shqipëri, ku për një kohë qëndroi në kampin e përqendrimit në Lushnje. Gjatë kohës së komunizmit në këtë vend fillimisht punoi si mësues në Krujë e Kavajë, profesion të cilin e ndërpreu shkaku i masës së internimit nga regjimi komunist. Me të filluar erërat e demokracisë në Shqipëri, Ferizaj u kyç aktivisht në politikë dhe në dhjetor të vitit 1990 themeloi degën e Partisë Demokratike në Kavajë. Në zgjedhjet e para demokratike në Shqipëri të vitit 1991, Ferizaj , zgjedhet deputet i Parlamentit të Shqipërisë. Pozitë të cilën e fitoi edhe për mandatin katër vjeçar me zgjedhjet e vitit 1992, kur zgjedhet deputet i zonës së Fierit nga lista e PD-së. “Që nga koha kur jam arratisur nga Smira, asnjëherë nuk e kam harrur vendlindjen dhe kjo më ka shtyrë që edhe në kohën kur isha deputet të jem një ndër deputetët më aktivë për sa i përket mbështetjes së çështjes së Kosovës, pasi Kosova ishte e okupuar nga Serbia”, thotë Ferizaj. Ai thekson se së bashku me deputetët Qazim Radoniqi dhe Esad Miftari, të cilët gjithashtu ishin nga Kosova, janë edhe iniciatorët e rezolutës së Parlamentit të Shqipërisë, për njohjen e qeverisë dhe shtetit të Kosovës. Ai thekson se pavarësisht se kanë kaluar shumë kohë prej kur është larguar nga Smira, gjithmonë ka ruajtur lidhjen me vendlindjen dhe kjo e ka shtyrë që të ndërtoi shtëpi në oborrin e të parëve dhe një pjesë të madhe të kohës ta kalojë me bashkëfshatarët e tij. “Tani kur edhe Kosova është e lirë, shumicën e kohës e kalojë në Smirë dhe po mundohem ta kompensojë kohën sa isha larg vendlindjes”, thekson Ferizaj, duke porositur politikanët shqiptarë si në Shqipëri ashtu dhe në Kosovë dhe Maqedoni që të gjejnë gjuhën e përbashkët dhe të punojnë për një të ardhme më të ndritur të popullit shqiptar kudo që është.

Ish-profesori universitar Prof. Dr.Sami Ibrahimi, tani i ndjerë, kishte pothuaj të njëjtin fat si të Ferizajt, pasi familja e tij për shkak problemeve me pushtetin e atëhershëm ishte shpërngulur nga Smira në Shkup të Maqedonisë. Deputeti Ibrahimi për 22 vite ka punuar si profesor universitar në katedrën e Gjuhës Angleze në Universitetin e Prishtinës. Për t`u angazhuar më pas në themelimin e Universitetit të Tetovës dhe atë të SHTUL-it. Me formimin e partive politike në Maqedoni Ibrahimi, u zgjodh nënkryetari i parë i Partisë për Prosperitet Demokratike e më pas deputet në Parlamentin e Maqedonisë.  Gjatë gjithë karrierës së tij politike, si deputet në Parlamentin e Maqedonisë, ambasador për katër vite në Danimarkë dhe si anëtarë i komisionit për kulturë e arsim sipëror në Këshillin e Evropës, çështjen e Kosovës e ka pas si prioritet.   Ai në të gjitha pozitat ku ka vepruar në politikë dhe në gjitha takimet e niveleve të ndryshme me diplomatët të huaj, ka përfaqësuar zërin e Kosovës, pasi në atë kohë Kosova nuk kishte përfaqësim të saj në institucionet e Evropës. Lidhja që kishte  ruajtur me vendlindjen ka qenë forca shtytëse e tij që sa më denjësisht ta përfaqësojë çështjen e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Ai pas pensionimit nga puna si profesor universitar dhe nga politika, shumë shpesh ishte në Kosovë dhe Smirë, pasi dëshironte të ishte afër të arriturave të bashkëvendësve të vetë dhe të Kosovës për të cilat edhe ka kontribuar. “Vetëm me punë dhe durim populli shqiptar do të arrijë aspiratat e veta”, porosiste deputeti Ibrahimi.

Kurse deputeti tjetër, edhe ai tani  i ndjerë i Kuvendit të Kosovës, Hysni Salihu, gjatë kohës sa bashkëvendësit e tij angazhoheshin për sensibilizimin e çështjes së Kosovës në parlamentet e shteteve të tyre, ishte i detyruar të jetonte në ekzil, pasi si pjesëmarrës i seancës së Kuvendit të Kosovës ku u shpall Deklarata e Kushtetuese e 2 korrikut 1990 dhe Kushtetutës së Kaçanikut, përndjekej nga pushteti serb. Nezir Sallahu, ish-deputet i kësaj përbërje të Kuvendit të Kosovës, thekson se ai së bashku me deputetin tani më të ndjerë Hysni Salihun dhe deputet tjerë nga Komuna e Vitisë, Kadrije Ismajlin dhe Osman Nuhiun, si pjesëmarrës të Deklaratës Kushtetuese dhe Kushtetutës së Kaçanikut, ishin detyruar të lëshonin Kosovën dhe për një kohë të jetojnë në Maqedoni dhe Zvicër. “Deputeti Hysni Salihu, ishte pjesë e pandarë e të gjitha aktiviteteve që ka zhvilluar përbërja e Kuvendit të Kosovës 1989-1992, në drejtim të shpalljes së Republikës së Kosovës dhe pavarësisë së saj”, ka thënë Sallahu. Ai ka theksuar se për këtë angazhim i ndjeri Hysni Salihu, ishte i detyruar që një pjesë të jetës së tij ta kalojë në ekzil ku edhe pse në moshë të re ju nënshtrua një sëmundjeje të rëndë nga e cila edhe vdiq, pak ditë para se ta përjetonte lirinë e plot të Kosovës. Deputeti Salihu, në moshën 47 vjeçare ka vdekur gjatë kohës së bombardimeve të NATO-së në Kosovë. Për angazhimin e tij në Kuvendin e Kosovës , deputeti i ndjerë Hysni Salihu në vitin 2010, nga presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, është nderuar me Medaljen e Artë të Pavarësisë. (I.Sefedini)

Leave A Reply