Smirasi Hasim Asllani, pronar i kompanisë “Metal Teknika Asllani”, me seli në Bresje të Fushë Kosovës, në prag të 8-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ka treguar për historikun e projektimit, përpunimit dhe konstruktimit të monumentit NEWBORN, i cili sot gjendet para Pallatit të Rinisë në qendër të Prishtinës.
Rrëfimi për jetën dhe profesionin e tij të metalpunuesit ka një histori të gjatë. Por Hasim Asllani për Botapress, ndër të tjerash, flet edhe për një punë të veçantë që e ka bërë: Punimin e NEWBORN-it, që simbolizon lindjen e pavarësisë së Kosovës.
Ai tregon se krejt punët prej përpunimit, konstruksionit, ngjyrosjes dhe vendosjes i ka bërë më djemtë dhe me punëtorë të tij.
“Tetë vjet më parë dhe vetëm pak ditë para se të shpallej Pavarësia e Kosovës, Fisnik Ismajli ka ardhë në punëtorinë tonë dhe na ka pyetur a mund t’ia konstruktojmë këto shkronja. Ne i kemi caktu dimensionet dhe përmasat e secilës shkronjë. Pastaj kemi përzgjedhë cilësinë e metalit dhe kemi testuar qëndrueshmërinë e secilës shkronjë qoftë nga erërat e forta apo edhe nga turmat e njerëzve. Pasi e kemi punuar një shkronjë, jemi bërë 70 veta dhe kemi provu a mundemi ta rrëzojmë shkronjën. Nuk kemi mundur. E kemi parë sa është e rezistueshme dhe stabile. Në bazament, te secila shkrkonjë kemi vendosë pllakën prej 16 milimetrash të trashë dhe një prej shkronjës psh W-peshon diku rreth 3 tonë, sepse është me konstruksion te çelikut dhe e mbështjellë me llamarinë për qëndrueshmëri më të madhe ndaj shiut e diellit”, thotë Hasim Asllani.
Ai rikujton se kanë punuar shumë dhe pandërprerë, madje në kushte deri në -20 gradë celsius, sepse nuk kanë pasur shumë kohë për këtë kontrukcion gjigant.
“Ne e kemi projektuar NEWBORN-in, e kemi transportuar me dy kamiona, dhe e kemi vendosur para Pallatit të Rinisë pas orës 2 të natës, së 17 shkurtit të vitit 2008. Ka qene mraz i madh. Ka pasë shumë njerëz që e kanë përcjellë dhe e kanë përshëndetë punën tonë”, shprehet Hasim Asllani.
Ai thotë se historia ka shkruar se firma “Metal Teknika Asllani” e ka punuar,e ka konstruktuar dhe e ka vendosur projektin e Pavarësisë së Kosovës NEWBORN midis Prishtine. Dhe për këtë ndihet krenar.
Hasim Asllani ka lindur më vitin 1942 në fshatin Smirë të Vitisë dhe ka mbushur 74 vjet, por ende është i gjallë në punë, aktiv në menaxhimin e ndërmarrjes me më shumë se 40 punëtorë.



1 Koment
Shume po me vije mire qe ky smiras ka marre pjese ne kete veper madheshtore qe sot po e kuptoj per here te pare dhe i uroj pune te mbare tutje, por nuk po me vjen mire pervetesimi ku thot se ne e projektuam sepse projektues i kesaj ka qene ideatori Fisnik Ismajli. Dmrh ky realisht eshte realizues apo konstruktues i vepres.
Me mirekuptim