
Ai u përcoll, të premten, me respekt nga shoqëria për në pension, për të pushuar, pas punës mbi katërdekadëshe. Kolegë të punës, prindër të nxënësve, shokë dhe familjarë, i organizuan atij një takim përshëndetës, në shenjë mirënjohjeje dhe falënderimi për gjithë punën që e ka bërë për shkollën dhe shoqërinë.
“Axha Isak ka një veprimtari të gjerë të punës së tij. Është një periudhë rreth 45 vjeçe që ka bërë dhe vet kjo tregon se ai ka lënë pas edhe suksese edhe si mësimdhënë edhe si drejtor e sekretar. Unë kam pasur fatin të punoj me të për tri vite me radhë dhe kemi bërë një koordinim të jashtëzakonshëm për shkollën. Natyrisht kemi pasur edhe momente të vështira por i kemi kaluar, falë përvojës së tij të gjatë që ka pasur në jetë”, tha Agushi.
Sipas, drejtorit Agushi, Isak Rexhepi do t`i mungojë shkollës së Smirës, por tha se ai është shprehur i gatshëm të vizitojë shkollën dhe ta ndihmojë sërish me këshilla.
Vet axha Isak, pak me emocione, në fjalën e tij përshëndetëse ishte i shkurtër dhe si gjithnjë i urtë dhe modest. Ai falënderoi të pranishmit për respektin që po tregonin me këtë ceremoni të organizuar për nder të tij.
Për ta nderuar punën që ka bërë axha Isak, si punëtor i palodhshëm, kishin ardhur edhe zyrtarë të Drejtorisë komunale të Arsimit në Viti. “Isaku po pensionohet meritueshëm, pas punës së gjatë dhe të ndershme që bëri. Vet ky takim që e keni organziuar, fjala e falënderimit, respektit dhe mirënjohjes nga ju, është më shumë se gjithçka për Isakun. Ju përgëzoj për respektin që keni për Isak Rexhepin si punëtor i arsimit”, tha Shefik Sadiku nga Drejtoria e Arsimit.
Arsimtari Izet Sylejmani, njëri nga punëtorët e vjetër të shkollës, në fjalën e tij u angazhua të shpërfaqë në dy rrafshe personalitetin e Isak Rexhepit, edhe në atë profesional edhe në atë njerëzor. “Pozitivizmi i tij na ka lënë përshtypje gjatë gjithë jetës, në punë dhe gjatë gjithë takimeve. Profesionalizmi i tij na ka bërë të kutpojmë se ai e ka njohur dhe e ka dashur profesionin. I lumtë dhe i dëshiroj shëndet”, u shpreh Izet Sylejmani.
Për nder të Isak Rexhepi, shkolla kishte organizuar edhe një koktej rasti. Kurse nuk munguan as fotografitë si kujtim.
BIOGRAFIA E ISAK REXHEPIT
Shkollën e mesme pesëvjeçare normale e mbaroi në vitin 1967. Po këtë vit, punësohet në Shkollën fillore “Zenel Hajdini”, në Goshicë, si arsimtar i Edukatës Muzikore, e më vonë arsimtar i Gjuhës Shqipe.
Në vitin 1970, mbaron Shkollën e lartë pedagogjike në Gjakovë-Dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, kurse pa shkëputje nga puna vazhdon të studiojë në Fakultetin Filozofik në Prishtinë, ku apsolvon në vitin 1975, në po të njëjtën degë.
Në vitin shkollor 1972/73 emërohet drejtor i shkollës fillore në Goshicë. Në atë kohë shkolla e Smirës ishte paralele e ndarë. Punën e drejtorit e kryen deri në vitin 1979.
Në vitin shkollor 1982 punësohet në Qendrën e Arsimit të Mesëm “Boro e Ramizi”, në Viti si profesor i Mbrojtjes Popullore. Aty punon deri në vitin 1985.
Prej vitit 1985 deri në vitin 1990 punoi në administratën komunale në Viti. Në mars të vitit 1990, pushteti i atëhershëm e largon nga puna ndër të parët. Po në këtë vit punësohet në Qendrën e Arsimit të Mesëm “Boro e Ramizi”, në Viti.
Në vitin 1996 filloi punën në shkollën fillore të Smirës. Prej vitit 2003 deri në vitin 2006 ishte drejtor i kësaj shkolle. Kurse prej viti 2006 kreu punën e sekretarit të shkollës.
Isak Rexhepi përveç karrierës profesionale prej punëtori të arsimit dhe të administratës, ishte edhe aktivist i dalluar. Ai njihet si ndër pishtarët e jetës kulturore në fshat, duke dhënë kontribut në shoqërinë kulturo-artistike të fshatit dhe në veprimtari tjera kulturore.

