KLASA MODEL 2012

Edhe Shkolla fillore “Dëshmorët e 5 Prillit”, në Smirë do të bëhet së shpejti me klasë model të shek. XXI. Kjo do të mundësohet falë projektit të USAID-it, Programi i Arsimit Themelor në Kosovë (Basic Education Program in Kosovo), i cili parasheh renovimin e klasave në shkollat e Kosovës.

 

Konsultantja e këtij projekti Nertila Qarri, prezantoi para prindërve në shkollën e Smirës një video-incizim përmes të cilit tregohej se si mund të ndryshohet një klasë klasike në një klasë model të shekullit XXI. “Programi ynë ka për qëllim që të ndihmojë pridnërit dhe arsimtarët nëpër lokalitete të ndryshme të Kosovës që të organizohet për të ndryshuar gjërat. Kjo na bën të kuptojmë se me pak mjete të punës dhe mjete financiare dhe me pak angazhim fizik vullnetar, mund të bëhen gjëra të mira dhe ndryshime të pabesueshme. Vetëm duhet vullneti i mirë dhe ideja. Ne për këtë ju mbështesim me disa materiale si: ngjyra për karrige e tavolina, ngjyra për mure, dërrasa për tavolina, tabela për vendosjen e punimeve etj.

Kurse komuniteti duhet të ndihmojë në rreth punëve fizike”, ka thënë Nertila Qarri. Ajo shpjegoi se renovimi i klasës ekzistuese bëhet edhe me materiale e mjete të reja por edhe nga impzovizimi apo adoptimi i inventarit të vjetër, psh. me dërrasat e vjetra të bankave mund të ndërtohen dollapë për libra ose varëse, kurse bankave do t`u vendosen dërrasa të reja.

Nismëtari i këtij projekti, arsimtari i Gjuhës angleze, në Smirë, Arif Zuka, tha se është nxitur të aplikojë sepse e ka parë nevojën e disa mjeteve të konkrezitimit në shkollë. “Unë këtu jam qe një vit. Kur kam ardhur në fillim, kanë munguar gjërat elementare dhe mjetet e nevojshme për të realizuar si duhet planprogramin dhe kam menduar të bëjmë diçka. E kam parë këtë projekt në media dhe kam aplikuar përmes internetit. Kam dërguar kërkesën dhe fotot nga klasa, kujdestar i së cilës jam. Aty pasdite mëson edhe një klasë e katërt. Besoj se edhe prindërit do ta përkrahin këtë projekt, sepse ia vlen të kemi diçka të mirë siç është klasa e ardhëmrisë, pra që quhet e shek. XXI. Pra një klasë e tillë i ka të gjitha mjetet dhe inventarin që mundëson mësimdhënie dhe mësimnxënie më të lehtë, poashtu edhe vendosja e tyre është krejt ndryshe”, tha arsimtari Arif.

Edhe prindërit  e pranishëm në këtë takim u shprehën të gatshëm të kontribuojnë dhe të angazhohen për këtë projekt interesant dhe atraktiv. “Është shumë mirë që ka nisur këtë iniciativë Arifi. Ne do ta mbështesim me çka na takon, me mjete të punës, me të holla ose me punë fizike. Sigurisht do të duket mirë klasa. Bash po më pëlqen dhe mezi po pres t`ia nisim e ta shoh si do ta ndryshojmë klasën”, thotë Agim Misini, njëri nga prindërit që ka fëmijë në klasën që do të renovohet.

Një takim tjetër i prindërve të dy klasave që mësojnë në klasën që duhet të renovohet, u caktua për të shtunën më 12 maj 2012, në orën 19:00, te shkolla, për të koordinuar punët që duhet të kryhen gjatë muajit qershor.

Programi për Arsimin Themelor (Basic Education Program in Kosovo), ka për qëllim përmirësimin e kapaciteteve të shkollave për të pajisur nxënësit me shkathtësi përkatëse dhe për të përmirësuar nivelin e arsimit. Në kuadër të këtij projekti tashmë janë renovuar shumë klasa në shkolla të ndryshme të Kosovë. Më shumë informata në lidhje me këtë program mund të gjeni në webfaqen e këtij programi http://bep-ks.org/

Leave A Reply