Familjarë, bashkëluftëtarë dhe qindra bashkëvendës e miq, i dhanë lamtumirën e fundit ish-ushtarit të UÇK-së, Kadri Hasani.

Luftëtari i lirisë, u varros sot në fshatin Smirë, me nderime ushtarake nga pjesëtarë të FSK-së.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës, së UÇK-së, Dega në Viti, Avdyl Bajrami, tha se Kadriu ishte shembull i një familjari të përkushtuar, njeriu të mirë dhe luftëtari të paepur të lirisë.

“Kadri Hasani ishte pjesëtar i UÇK-së, në Zonën Operative të Dukagjinit. Kadriu, pas shtatë vitesh qëndrimi në Gjermani, në maj të vitit 1998 kishte ardhur në Kosovë. Ai e la jetën e mirë në perëndim dhe iu përgjigj thirrjes për t’i dalë atdheut zot. Kryesisht ka operuar në Smolicë, Glogjan, Ramoc dhe Junik, ka thënë Bajrami, në emër të veteranëve të luftës.

Kadri Hasani ndërroi jetë, mëngjesin e të martës, në moshën 52 vjeçare, në një spital, në Anecy të Francës, ku kishte shkuar para dy muajsh, për mjekim.

I ndjeri, ka lënë pas vetes gruan dhe tre fëmijë.

Leave A Reply