Shtatëmbëdhjetë punonjës: mjekë e teknikë medicinalë kanë dalë sonte nga karantina. Edhe testet e dyta që ua bëri Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik kanë dalë negative, kështu që ata i janë kthyer familjeve dhe shërbimit.
Shtatëmbëdhjetë punonjësit e QKMF-së në Viti ishin vetizoluar para dy javësh, pasi disa prej tyre kishin pasur kontakt me të infektuarin e parë me virusin Covid-19.
Kryetari i Komunë së Vitisë, Sokol Haliti, me konsideratën më të thellë mirëpret kthimin e tyre. Ai ka thënë se ky veprim i 17 punëtorëve shëndetësorë në krye me drejtoreshën e QKMF-së, dr. Vjollca Kadolli, është inkurajues, pasi ata këtë e bënë për të ruajtur kolegët e tyre dhe shëndetin publik në përgjithësi.
Ai po ashtu falënderon personelin tjetër për përkushtimin dhe punën e jashtëzakonshme që kanë vazhduar ta bëjnë për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve, në këtë kohë të vështirë me pandemi dhe të mbingarkuar, shkaku i reduktimit të personelit mjekësor.
Nga ana e saj, drejtoresha e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, në Viti, Dr. Vjollca Kadolli, ka falënderuar të gjithë për mbëdhtetjen dhe solidarizimin me punonjësit shëndetësor të vetizoluar: institucionet komunale që kanë treguar kujdes të vazhdueshëm, IKSHP, IRSHP dhe MSH.
Ajo thotë se edhe të vetizoluarit kanë treguar përgjegjësi të lartë.


