Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) thotë se viti shkollor 2018-2019, do të përfundojë më 21 qershor, pa asnjë ditë shtesë, ndonëse Ministria e Arsimit ka obliguar drejtoritë komunale të zgjasin mësimin të paktën edhe për një javë, raporton KTV.
Sipas Ymer Ymerit nga kjo sindikatë, mësim shtesë nuk do të ketë, pasi që mësimdhënësit kanë arritur të përfundojnë komplet plan-programin mësimor për këtë vit.
Gjykata Themelore në Prishtinë e ka kthyer në favor të Ministrisë së Arsimit ankesën e SBASHK-ut për zëvendësim të orëve.
Në anën tjetër, SBASHK-u, gjatë gjithë kohës, ka deklaruar se mësimi mund të zëvendësohet për një javë më shumë dhe atë vetëm nëse bëhen ndryshime në koeficient për mësimdhënësit e klasave 1-5, të cilët, sipas zyrtarëve të SBASHK-ut, u renditën më së keqi në Ligjin e pagave.


