Kadri Hasani nga fshati Smirë i Komunës së Vitisë, i ka shpëtuar luftës si pjesëtar i Ushtrisë Clirimtare të Kosovës në rajonin e Dukagjinit, por 20 vjet pas, për pak sa nuk pësoi, në vendlindjen e tij. Ai, teksa për punonte, të premten pasdite, në pyll, jo larg shtëpisë, është kafshuar nga një gjarpër në krahun e djathtë. “Kam qenë duke punuar në mal. Kur e kam kap një dru në tokë, kam ndjerë një djegje në krah. E kuptova se më kafshoi një gjarpër që kishte qenë nën dru. Si duket e kam kapur edhe gjarpërin për nuk e kam vërejtur. Jam nisur menjëherë për në shtëpi, sepse filloi të më shtrëngonte në gjoks dhe të më vështirësohej frymëmarrja”, rrëfen Kadriu ngjarjen që i ka ndodhur pesë ditë më parë.
Ai thotë se familjarët menjëherë e kanë dërguar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Viti, ku thotë se kanë trajtuar mirë, me atë terapi që kanë pasur, por Kadriu shprehet i habitur se nuk i kanë dhënë asgjë kundër kafshimit të gjarpërit. “Në Viti më thanë se nuk kanë serum kundër kafshimit të gjarpërit, por më mbanin me oksigjen sepse gjoksi vazhdonte të më shtrëngonte dhe merrja frymë vështirë. Mjekët më udhëzuan menjëherë për në Gjilan. Ta them të drejtën më erdhi cudi si të mos ketë dicka kundër kafshimit të gjarpërit. Hajde, të themi, që unë kam qenë afër shtëpisë dhe jam 5 km larg Vitisë dhe kam arritur me kohë, por nëse i ndodh dikujt më ndonjë fshat më të largët, derisa ta dërgojnë në Gjilan,vështirë se do të mbijetojë”, thotë Kadriu, derisa rregullonte një gyp të ujit në rrugë, përpara shtëpisë së tij.
Kadri Hasani është i dëshpëruar me trajtimin që i kanë bërë në Gjilan. Sipas tij, atje mjekët janë vonuar, por edhe kur kanë ardhur i kanë thënë se nuk kanë serum kundër kafshimit të gjarpërit. “Filloi të më kaplojë frika cka do tëmë ndodhte. Madje ata më thanë të më dërgojnë për Prishtinë dhe urdhëruan të bëhej gati auto-ambulanca. Unë nuk besoja se as në Gjilan nuk ka ndonjë medikament kundër rasteve të tilla. Vetëm kur ka ardhur kusherini im Kosum Hasani dhe ju ka thënë mjekëve si nuk ju vjen turp ta trajtojnë një veteran të luftës kështu, mjekët kanë ndryshuar menjëherë casjen dhe e kanë gjetur serumin dhe ma kanë dhënë. Pas pak minutave gjendja filloi të më përmirësohej”, rrëfen Kadriu.
Pas gjithë kësaj ndodhie, ai është i zhgënjyer, sepse thotë se pas shtatë vitesh qëndrimi në Gjermani, e ka lënë jetën dhe punën atje, i ka prishur letrat dhe në maj të vitit 1998 ka ardhur në luftë në Kosovë, për të dhënë kontribut për një të ardhme më të mirë për të gjithë. “Fillimisht në Shqëipri kam qëndruar një javë. Pastaj kam operuar në Smolicë, Glogjan, Ramoc dhe Junik në DUkagjin, deri në përfunimin e luftës. Kam qenë edhe në rrezik, madje në një rast kam tërhequr të plagosur Zeqir Haxhiun, i njohur si komanant “Kanuni”. Askush nuk e ka ditur se do të shpëtojë në luftë, por sot 20 vjet pas asaj kohe, është dashtë të kemi institucione më të zhvilluara dhe qytetarët të kenë trajtim më të duhur. E, jo të vihemi në rrezik jetë për një ilaç, të cilin sa e di unë janë të obliguara të gjitha institucionet shëndettësore ta kenë”, thotë KAdri Hasani.
Ai madje ka ndërmend që të kërkojë edhe te kryetari i komunës, por edhe më lart që qendrat e mjekësisë familjare nëpër komuna të furnizohen me serum kundër kafshimit të gjarpërit, pasi druan se dikush mund ta pësojë për pak punë.


