Prof. Fehmi Ramadani nga Smira, ka promovuar sot në Viti librin “Trungu i Rexhëve të Smirës’. Recensenti Ismet Ferizaj, i cili edhe vet vjen nga Rexhët, tha se libri plotëson kuadrin e një studimi të mirëfilltë të një mëhalle në fshatin Smirë dhe që është më e madhe se dy mëhallët tjera, të cilat së bashku përbëjnë një histori që ia vlen të shkruhet. “Autori duke dashur të tregojë rrjedhën e zhvillimit të shoqërisë në Smirë, veçanërisht në Mëhallën e Rexhëve,  i është nënshtruar një pasqyrimi të fakteve që nga lashtësia e deri në ditët e sotshme”, ka thënë Ferizaj.

Ramadan Asllani ka thënë se autori trungun e vet filogjenetik, pra të  e Rexhëve e nxjerr me 13 breza, që rrallë mund të gjendet në mbamendjen e pleqve, por as e shkruar. Sipas tij, libri mbetet si dëshmi e  vazhdimit të mëtejmë të trungjeve tjera.

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka thënë se prof.Fehmi Ramadani i takon ajkës së intelektualëve të Vitisë, i cili me kontributin e tij ka lënë gjurmë të pashlyeshme.  ‘Jam i nderuar që po marr pjesë në këtë promovim të këtij libri që flet për Smirën, për patriotizmin, traditën dhe shkollimin e njerëzve të saj, sepse për Smirën ka se cka të shkruhet. Smira është vërtetë fshat i vecantë, i zhvilluar dhe i organizuar. Një Smirë kemi edhe në Shkup dhe një e kemi në Gjenevë. Me kënaqësi kam marrë pjesë në takimet që smirasit i organizojnë në këtë dy vende,ka thënë kryetari Haliti. Ai i ndau një mirënjohje prof.Fehmi Ramadanit për kontributin e tij për dekada të tëra.

Autori ka falënderuar të gjtihë që i kanë dhënë informata dhe që i kanë ndihmuar për botimin e këitij libri. ‘Në këtë libër jam mundur të paraqes disa moment dhe fakte të cilat kam menduar se janë më të rëndësishme dhe sadopak më reale. Kam shkruar këtu edhe për pozitën gjeografike edhe të Smirës, por theks të vecantë i kam kushtuar trungut të lagjes së Rexhëve deri në gjeneratat e sotshme, duke i përfshirë edhe familjet që bëjnë pjesë në këtë lagje’, ka thënë prof. Ramadani.

Prof. Fehmi Ramadani ka lindur në vitin 1942 në Smirë. Pas shkollës fillore në Smirë dhe Goshicë, mbaroi Shkollën Normale në Ferizaj. Si mësues i Biologjisë dhe Kimisë u punësua  në Goshicë. Pastaj mbaroi Shkollën e Lartë Biologji-Kimi në Shkup. Në vitin 1973 vazhdoi punën në Shkollën e Mesme në Viti si profesor i Biologjisë. Në ndërkohë e vazhdoi edhe Fakultetin e Shklencave Matematike-Natyrore. Ai u pensionua në vitin 2008.

 

 

Leave A Reply