Në mes të fshatrave Drobesh dhe Smirë të Vitisë, kanë filluar punimet në rregullimin dhe shtruarjen me zhavorr të rrugës bujqësore që lidh mes veti fshatrat Drobesh dhe Smirë. Banorë të dyja lokaliteteve vlerwsuan se kjo do tw lehtwsojw qasjen e fermerëve në parcelat e tyre por edhe lidhjen e fshatrave nw mes vete.

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti tha se këto rrugë po rregullohen dhe po shtrohen me zhavorr në kuadër të projekteve të shumta të cilat po realizohen në interes të qytetarëve vitias në të gjitha lokalitetet. “Sot po fillojmë një projekt shumë të rëndësishëm që ka një rëndësi të dyfishtë, pasi me këtë jo vetëm që lehtësohet qasja e fermerëve të Drobeshit dhe Smirës në parcelat e tyre por ajo lidh edhe fshatrat mes tyre”, u shpreh kryetari Haliti.

Ndërkaq Veton Ademi, Drejtor për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural tha se rregullimi i kësaj rruge është në interes të fermerëve të dyja lokaliteteve por edhe nxit fermerët që të shtojnë sipërfaqet e mbjellura me kulturat e ndryshme bujqësore. “Kjo rrugë më të vërtetë është shumë e rëndësishme për fermerët e Drobeshit dhe Smirës. Kam biseduar me disa fermerë dhe ata potencuan se deri me tani sipërfaqe të mëdha kanë qenë të papunuara pikërisht për shkak të infrastrukturës së dobët rrugore, por fatmirësisht me këtë projekt do të eliminohet ky problem dhe sigurisht se edhe do të shtohen sipërfaqet e mbjellura me kulturat e ndryshme bujqësore“,  tha drejtori Ademi.

Përndryshe në afërsi të kësaj rruge është paraparë të ndërtohet tregu i kafshëve dhe rregullimi i rrugës siguron që fermerët të shfrytëzojnë me lehtë këtë treg.

 

Leave A Reply