Një grup i smirasve që jetojnë në Shkup, të prirë nga kryetari i Shoqatës “Smira Dardane”, Zijadin Sylejmani, kanë vizituar sot Smirën dhe janë njohur me bukuritë natyrore të saj. Ata janë pritur dhe shoqëruar nga kryetari i Këshillit të Fshatit Smirë, Afrim Salihu, dy këshilltarët komunalë Zekirja Zuka e Bekim Azizi, drejtori i shkollës “Dëshmorët e 5 Prillit”, Xhavit Sahiti si dhe Jakup Demiri.
Zijadin Sylejmani u shpreh i entuziazmuar me faktin që sot patën rastin të shetisin në disa vende në zonën malore të Smirës. “Ka qenë një ditë shumë e mirë për ne. Ishin në disa pjesë ku nuk kishim qenë kurrë më parë. Vërtetë kaluam një kohë të mirë dhe u mbushëm me energji nga vendlindja. Filluam në Bjeshkollavë, pastaj kaluam kah Vneshtat, Te rrasat dhe u kthyem kah rruga tjetër që shpie te xhamia. Ishte shumë bukur”, tha kryetari i Shoqatës Smira Dardane, Zijadin Sylejmani.
Kryetari i Këshillit të Fshatit Smirë, Afrim Salihu tha se sa më shumë që po shtohen kontaktet e smirasve, aq më shumë po rritet nevoja për të qenë bashkë dhe për ta njohur më shumë njëri-tjetrin. Sipas tij, këto vizita të smirasve që jetojnë gjetiu duhet të shpeshtohen në mënyrë që ta njohin fshatin, sidomos ata që nuk kanë lindur këtu.
Ndeja ka vazhduar në shtëpinë e Afrim Salihut, pastaj në restorant “Lindi” në Viti si dhe te “Beni Impex” në Smirë.