Smira ka përkujtuar sot bijt e saj dëshmorë, të rënë më 5 prill të vitit 1999 dhe ka shënuar Ditën e shkollës që mban emrin e tyre. Mirali Sejdiu, Hebib Sejdiu, Skender Salihu dhe Ylvi Demiri janë nderuar te Varrezat e Dëshmorëve në Viti dhe tek lapidari i ngritur për nder të tyre në qendër të fshatit. Aty është ngritur flamuri kombëtar në shtyllën 21 metra të lartë, që është dhuratë nga Shoqata “Smira” me seli në Gjenevë. Kurse jeta dhe vepra e tyre është lartësuar dhe vlerësuar nga të pranishmit në manifestimin që u mbajt në oborrin e shkollës së fshatit. Për të nderuar sakrificën e dëshmroëve smiras, kishin ardhur zyrtarë të lartë komunalë, përfaqësues të organziatave të dala nga lufta e UÇK-së dhe smiras nga Shkupi, Shqipëria e diaspora.

Nënkryetari i komunës së Vitisë Hasan Aliu ka theksuar se shkolla e këtij fshati ka kalitur shumë personalitete të cilët dhanë shumë për atdheun, dhe në mesin e tyre janë edhe dëshmorët që po përkujtohen sot. Kurse drejtori i shkollës “Dëshmorët e 5 Prillit’, Xhavit Sahiti, ka folur për historikun e shkollës, vështirësitë që ka pasur në të kaluarën dhe sukseseve që po arrin aktualisht kjo vatër e dijes. Ai  falënderuar institucionet, bizneset smirase, banorët, mërgimtarët si dhe  shoqatën e smirasve “Smira Dardane” nga Shkupi për ndihmën e vazhdueshme që i kanë dhënë kësaj shkolle. Në këtë tubim kanë folur edhe Emrush Azizi nga Smira, Abdyl Bajrami nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së dhe Zijadin Sylejmani kryetari i Shoqatës “Smira Dardane”, e cila kishte ardhur e organizuar nga Shkupi.

Me rastin e ditës së shkollës, janë ndarë mirënjohje për mësimdhënësit më të dalluar dhe për nxënësit më të suksesshëm, kurse Drejtoria e Arsimit në Viti ka ndarë mirënjohje për këtë shkollë për vendine dytë në garat komunale të diturisë.

Për të pranishmit u shfaq një program artistik i përgatitur nga nxënësit e shkollës dhe nga Shoqëria Kulturore Artistike “Jonuz Ramadani”.

 

 

1 Koment

  1. Zijadin sylejmani on

    Sot ne Smire u festua dita e shkolles “Deshmoret e 5 prillit”po njekohsisht me ngritjen e Flamurit Komnbetare ,ne qender te fshatit, u perkujtuan dhe u nderuan deshmoret Mirali Sejdiu, Hebib Sejdiu, Skender Salihu dhe Ylvi Demiri. Pos urimit per diten e shkolles une ne emer te te gjithe smiraseve nga Shkupi i falemderoj bashkevendasit per respektin dhe nderin qe na e bene gjate keti manifestimi.

Leave A Reply