Mbrëmë rreth orës 20:00, persona të maskuar, në një tentim plaçkitje në pompën e benzinës, ”Modeli Petroll”, kanë plagosur lehtë dy punëtorë të kësaj pompe.

Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës. Zëdhënësi Ismet Hashani, ka bërë të njohur se persona tani për tani të panjohur për policinë, kanë sulmuar me armë zjarri këtë pompë të benzinës.

“Punëtorët e plagosur, pas ndihmës ë marrë në qendrën emergjente të spitalit rajonal në Gjilan, janë jashtë rrezikut për jetë”, ka thënë togeri Hashani.

Ai ka theksuar se për momentin nuk ka të arrestuar për këtë rast dhe dyshimet e para janë se bëhet fjalë për tentim plaçkitje, raporton korrespodenti i Kohës Ditore në Viti.

“Policia rajonale është në kërkim t autorëve të këtij rasti”, ka thënë togeri Hashani.

E, njëri nga përfaqësuesit e kompanisë në kuadër të së cilës vepron edhe pompa e benzinës, ka thënë se punëtorët e plagosur janë mirë dhe ata tani janë në shtëpi, përcjell koha.net.

“Sulmi ka ndodhur nga tre persona të armatosur me armë automatike, të cilët me të arritur tek pompa kanë gjuajtur në drejtim të punëtorit që ishte jashtë e cili është plagosur lehtë në krah, kurse punëtori që ishte brenda në zyrat e pompës është lënduar nga xhamat e thyer, dhe që të dy janë mirë”, ka thënë ai.

Sipas tij sulmuesit ishin në këmbë dhe ata pas sulmit kanë ikur në drejtim të panjohur dhe nuk kanë marrë asgjë nga pompa.

“Policia e Vitisë ka vepruar shpejt, por për kundër kësaj sulmuesit kanë arritur të ikin në drejtim të panjohur, dhe policia është në kërkim të tyre”, ka thënë ai.

Sipas pronarit të pompës as ai e as punëtorët nuk kanë asnjë problem me dikë, dhe i mbetet policisë që sa më shpejt të zbuloi këtë rast dhe autorët ti nxjerrë para drejtësisë. © KOHA.net

Leave A Reply