Kuvendi Komunal i Vitisë, në një seancë të jashtëzakonshme, ka miratuar vendimin për ridestinimin e mjeteve të buxhetit komunal të mbetura nga projektet e përfunduara, në projekte që kanë mbetur në gjysmë.
Ky vendim i KK-së që mori shumicën e votave të këshilltarëve, nga kryetari i komunës, Sokol Haliti, u arsyetua si një vendim që zhbllokon situatën e krijuar me projektet që kanë filluar të realizohen vitin e kaluar e që kanë mbetur në gjysmë shkaku i planifikimit jo të drejtë të buxhetit komunal për këtë vit.
“Me ridestinimin e mjeteve, do të përfundojnë projektet që kanë të bëjnë me ndërtimin e rrjeteve të kanalizimeve në Tërpezë e Smirë, si dhe shkollave në Sllatinë e Ballancë, që janë katër makro-projektet e mëdha të komunës, si dhe do të mundësohet intervenimi në projektet që janë me defekte”, ka thënë Haliti.
Ibrahim Ramaj, drejtor i Ekonomisë ka thënë se me këtë vendim do të do të ridestinohet shuma prej 554 mijë euro, në projektet e papërfunduara dhe kjo shumë është siguruar nga mjetet e mbetura nga projektet e realizuara, nga heqja dorë e administratës komunale për blerje të veturave si dhe nga bashkëpunimi i komunës me donator në realizimin e projekteve që ishin planifikuar të realizohen me buxhet komunës, të cilat do të realizohen përmes donacioneve të huaja.
Këshilltarët komunalë, si nga radhët e pozitës ashtu edhe opozitës, vlerësuan si veprim pozitiv vendimin e administratës që të heqë dorë nga blerja e veturave zyrtare, dhe ridestinimi i këtyre mjeteve në investime kapitale. Por, sipas këshilltarëve Bekim Azizi nga PDK, Bislim Bislimaj, nga VV dhe Daut Xhemajli nga Nisma, komuna në këtë risdestinim të mjeteve duhet të ndajë më shumë mjete për investime në rregullimin e rrugëve të arave, pasi ato mundësojnë zhvillim të bujqësisë. /koha/