Rekordmeni tashmë i njohur botëror, Agim Agushi, ka deklaruar në emisionin sportiv ‘Fundjava Sportive’, në Radio Kosova, i cili u realizua drejtëpërdrejt nga shtëpia e tij në Smirë, se deri në fund të vitit synon t`i arrijë edhe gjashtë rekorde të reja botërore dhe një rekord të Ginisit. ‘Më 10 gusht 2014, në Prishtinë do të sfidojë dy rekorde botërore: Goditje e topit me kokë duke vrapuar në 100 dhe 200 metra. Sponsor medial i kësaj ngjarjeje do të jetë RTK.
Pastaj kah fund i shtatorit 2014 synoj të vendos rekordin Goditje e topit me kokë duke ecur mbi karrige, por synimi im është edhe ‘pushtimi’ i ndërtesës Burj Khalifa në Dubai, 830 metra të lartë me 202 kate. Deri në fund të vitit planifikoj edhe rekordin Goditje e topit duke ecur dhe rekordin goditje e topit në cift me djalin tim Clirim Agushi, por shumë shpejt do të sfidojë edhe ndërtesa 150 katëshe duke ecur prapa. Sidoqoftë aktualisht jam në formë dhe do të jem në gjendje të sfidoj të gjitha ndërtesat, sado të larta që bëhen kudo në botë’, ka thënë Agimi.
Agimi deri tani ka shënuar gjashtë rekorde botërore dhe një të Ginisit. I fundit ishte në Gjakovë, në disiplinën goditje me kokë duke ecur prapa në gjatësi 4.220 metra, për 1 orë 31 minuta e 34 sekonda.